Aktualitet31 Maj 2018, 11:10

Kallëzimi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Lulo në hetim bashkë me dy gjyqtarët

Shkruar nga Pamfleti
Kallëzimi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Lulo

Kallëzimi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Lulo në hetim bashkë me dy gjyqtarët

Ka vetëm 4 ditë që është regjistruar procedimi, pasi babai i Marvi Mihalit, të riut që u vra me thikë një vit më parë pas një sherri për një karikues, ka bërë kallëzim ndaj të treve për korrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Shkak për kallëzimin u bë lirimi i tre prej katër të arrestuarve për vrasjen e Marvi Mihalit, ku sipas babait të viktimës, prokurori Artan Lulaj i ndryshoi akuzat, nga vrasje në bashkëpunim, në moskallëzim krimi.

Pas ankesave të tij publike, Prokuroria e Tiranës mori masa të menjëhershme, duke zëvendësuar prokurorin e çështjes Artan Lulaj me prokurorin Gjergj Tako. Në kallëzimin e dorëzuar më 25 maj në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, babai i viktimës, Pavllo Mihali, akuzonte prokurorin Artan Lulaj për korrupsion.

Ai, madje, ka rrëfyer në kallëzim edhe takimin me prokurorin Lulaj, i cili, sipas tij, i ka thënë se “nuk pyet njeri” për punën e tij. Kallëzimi është dërguar edhe në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe në Prokurorinë e Përgjithshme, Kryeprokurores Arta Marku.

Kujtojmë se më 11 maj të këtij viti, u liruan nga qelitë e paraburgimit Eugen Bitraj, Kridens Alla dhe Marsel Alla, ndërsa i vetmi që mbeti në burg është Dejvi Bitraj, që ka marrë autorësinë e krimit.

Mirëpo, nga pamjet filmike duket që qartë se Dejvi Bitraj, pasi e godet me thikë në shpinë Marvi Mihalin, largohet nga vendngjarja më shpejtësi, shkruan Panorama. Tre të tjerët vazhdojnë ta dhunojnë barbarisht derisa i riu jep shpirt.

Kallëzimi është bërë më datë 24 maj 2018 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndaj Artan Lulajt, prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë; Bedri Qori, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; Sokol Pasho, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Kliton Zharrit, oficer i Policisë Gjyqësore.

“Ky person (Artan Lulaj), në kundërshtim të hapur me detyrën fisnike që i ka ngarkuar shtetit shqiptar, shkel të gjitha të drejtat tona dhe të djalit tonë, Marvi Mihali, duke lënë të lirë tre nga katër të pandehurit e procesit penal.

Ky prokuror, në mënyrë abuzive gjatë 8 muajve të fundit, nuk na thërriti qoftë edhe një herë për të komunikuar dhe për të na dëgjuar në lidhje me ngjarjen makabre ku 4 persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, vranë djalin tonë të vetëm, Marvi Mihali.

Ky prokuror, në këmbim të shumave të parave, këmbeu gjakun e derdhur të djalit tonë, me lirinë e tre kriminelëve, duke i liruar me akuzën e ‘moskallëzimit të krimit’, të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal, edhe pse nuk ishin në asnjë nga kushtet dhe kriteret për ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale.

Ne, prindërit e Marvi Mihalit, viktimës së veprës penale, edhe pse i paraqitëm provat e pakundërshtueshme, ai me arrogancë u shpreh se ‘kam gabuar’ dhe ju “shkoni ku të doni, unë nuk pyes njeri”. Dhe jo vetëm; ky prokuror, në mënyrë të fshehtë, takohej me baballarët e kriminelëve Bitraj dhe avokatin e tyre”, shkruante Pavllo Mihali në kallëzimin drejtuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Aktualitet