
Grupi i Alibeajt ka gati kandidatët për zgjedhjet e 14 majit. Teksa Berisha po vijon “Primaret”, duket se kritikët e tij në PD janë të vendosur që të dalin me kandidatë më vete në zgjedhjet vendore.
Më 19 dhjetor, Gjykata e Apelit do të mblidhet sërish për çështjen e statutit dhe për sa kohë nuk ka ende një vendim, Berisha nuk futet dot në zgjedhje nën logon e PD. Nga ana tjetër edhe Alibeaj e ka thënë se PD-në e përfaqëson grupi i tij.
“Partia Demokratike nuk mund t’ia lejojë vetes të mos futet në zgjedhje. Unë përgjigjem vetëm për këtë pjesë. PD-ja do të marrë pjesë në zgjedhje në të 61 bashkitë, me këshillin bashkiak dhe me kandidatët. PD-ja do të dalë me një kandidat. Nëse i referoheni 6 marsit, PD-ja ka pasur një kandidat, ndërsa kandidati tjetër ka qenë i Shtëpisë së Lirisë, që ishte koalicioni mes LSI-së dhe Partisë Demokristiane”, u shpreh Alibeaj
Sipas tij, kandidati fitues duhet të jetë i pëlqyeshëm nga publiku. Alibeaj u shpreh se emrat janë përzgjedhur dhe nga java e ardhshme do të nisë prezantimi i tyre, duke i dhënë një goditje të fortë Berishës.
“Në vitin 2020, PD u përfshi në një proces të gjerë të identifikimit të kandidaturave. Kandidatët janë gati dhe do të nisë shpallja e tyre bashki më bashki që nga java tjetër. Këta kandidatë janë zgjedhur nga anëtarësia e Partisë Demokratike, që është përfshirë në një proces në detaj të propozimeve dhe në një proces votimi, ku ka pasur dy komisione që bënë filtrimin dhe që shikonin çështjen e etikës”, tha Alibeaj.
Por ai ka sfiduar Berishën edhe sa i takon mbështetjes së aleatëve. Ndonëse Berisha takoi Agron Dukën, Fatmir Mediun dhe Dashamir Shehin që të hyjnë bashkë në zgjedhje, Alibej ka informuar se ka nisur dhe ai kontaktet me ta. Ai deklaroi se ka pasur takime me aleatët, duke theksuar se kanë pasur të njëjtin qëndrim mbi kandidatët për zgjedhjet e 14 majit.
“Për të qenë fitues kandidati i PD-së, aleanca që duhet bërë është me njerëzit dhe me vlerat. Ne nuk detyrojmë askënd dhe as nuk lusim njeri që t’i qëndrojë vlerave tona. Unë kam pasur kontakte me të gjithë kryetarët e partive aleate dhe nga këto diskutime me zotin Mediu, me zotin Duka dhe me PDIU, kërkesa e tyre është: na duhet një kandidat fitues dhe për të nxjerrë këtë është sondazhi. Duke qenë se këta kolegë aleatë është i arsyeshëm, edhe ne kemi adoptuar të njëjtin qëndrim”, tha Alibeaj në një emision.
Ai u shpreh se i kandidati nuk duhet të ketë gjurmë të korrupsionit, nuk duhet të ketë gjurmë të lidhjes me krimin dhe duhet të jetë antiteza e kandidatëve që paraqiten nga mazhoranca.