Kamerat e sigurisë së pallatit ku banonte biznesmeni Behar Sofia, 66 vjeçari që u ekzekutua paraditen e djeshme me armë zjarri afër ‘Piramidës’ së Tiranës, kanë filmuar autorin e dyshuar.
Paraprakisht, mësohet se autori dje kishte veshur një kostum sportiv të errët dhe po e priste “Padrinon e drogës” që të dilte nga pallati. 66 vjeçari jetonte në një zonë elitare në kryeqytet, në një pallat ku ndodhet dhe një qendër tregtare.
Sapo Behar Sofia ka dalë nga pallati, autori e ka ndjekur dhe në afërsi të Piramidës, në krahun buzë lumit Lana, e ka qëlluar dy herë me armë zjarri. Grupi i hetimit nëpërmjet dedektorëve metalikë ka gjetur dy gëzhoja në vendngjarje.
Autori dyshohet se ka përdorur një armë zjarri model “TT” me silenciator. Disa ditë me radhë, ai e ka pritur Behar Sofinë në derën e pallatit.
Ndërkohë, familjarët e 66 vjeçarit kanë mohuar të kenë pasur kërcënime apo konflikte kohë e fundit. “Nuk kemi patur kërcënime dhe konflikte kohët e fundit. Behari doli të pinte kafe, më pas do të blinte diçka dhe do të kthehej në banesë. Behari, kur doli, nuk na tha se do të takonte njeri”, kanë thënë ata.