Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka njoftuar se në muajin prill do të zgjidhet presidenti i ri i Republikës.
Sipas kryeministrit, emrat e fundit kanë degraduar figurën e Kreut të Shtetit, ndaj duhet gjetur një “njeri normal”, ndërsa shtoi se për këtë çështje duhet pyetur edhe populli shqiptar.
“Në muajin prill na duhet të zgjedhim presidentin e do e zgjedhë ky grup parlamentar në radhë të parë.
Komplikimi i skajshëm i situatës me krijimin e dy, PD-ve na bën të vështirë të gjejmë adresën se ku ta kërkojmë dialogun me opozitën parlamentare, por ne ndërkohë duhet të mendojmë për mënyrën se si mund të këshillohemi me qytetarët edhe për këtë vendimmarrje.
Në një mënyrë apo tjetër duhet të gjejmë rrugën për të mbledhur opinionet e njerëzve për presidentin apo presidenten e re.
Pas një serie personazhesh që e kanë degraduar figurën për të thënë më të paktën ne kemi përgjegjësinë e madhe qytetare politike e kushtetuese që ti japim popullit shqiptar në krye të shtetit një njeri normal në radhë të parë.
Një kryetar dhe kryetare shteti që ti ktheje normalitetin njerëzor moral e institucional zyrës së Presidentit të Republikës
Nuk do bjerë nga qielli, me siguri do gjendet mes nesh këtu në territorin e Shqipërisë se mund të jetë edhe jashtë Republikës se Shqipërisë por e kemi detyrim ti japim asaj zyre mundësinë që për 5 vitet e ardhshme të ketë një njeri normal, tha Rama.