Bota30 Qershor 2022, 08:03

Kaos në aeroportet gjermane, Berlini ndryshon strategji: Personel ndihmës i huaj për të përballuar situatën

Shkruar nga Pamfleti
Kaos në aeroportet gjermane, Berlini ndryshon strategji: Personel

Kaos në aeroportet gjermane, Berlini ndryshon strategji: Personel ndihmës i huaj për të përballuar situatën

Qeveria federale do të lehtësojë angazhimin e punonjësve të huaj në aeroportet e Gjermanisë. Ky hap synon të zbusë mungesën e personelit.  

Personel ndihmës i huaj, veçanërisht punonjës nga Turqia, të cilët do të punësohen për një periudhë të kufizuar, pritet që të angazhohen së shpejti për të ndihmuar p.sh. me trajtimin e bagazheve dhe kontrollin. Këtë e njoftuan Ministri gjerman i Transportit Volker Wissing, Ministrja e Brendshme Nancy Faeser dhe Ministri i Punës Hubertues Heil në një konferencë të përbashkët shtypi në Berlin. Ata e bënë të qartë se nuk do të ketë kompromis për sigurinë. Ndihmësit duhet të paguhen edhe sipas tarifave në fuqi.

Ministri i Transportit Wissing tha në revistën e mëngjesit të ZDF se “gjatë pandemisë, kur u ndërprenë fluturimet, punonjësit u larguan, ata kërkuan punë diku tjetër dhe tani nuk janë në dispozicion,” shpjegoi Wissing.

Ai shtoi se tani, para periudhës së pushimeve, ata nevojiten urgjentisht dhe kompanitë private, të cilat janë ofrues shërbimesh për punën e personelit apo edhe për kontrollet e sigurisë, nuk mund të vënë në dispozicion staf të mjaftueshëm.

Tani duhet kërkuar një zgjidhje “për të rekrutuar sa më shpejt personel të kualifikuar”, deklaroi Volker Wissing. Sepse kompanitë private nuk po arrijnë të rekrutojnë punonjës të mjaftueshëm në Gjermani.

Por duhet të jetë e qartë se punonjësit e huaj do të kalojnë kontrollin e sigurisë, vazhdoi Wissing. “Është Ministria e Brendshme ajo që është kompetente për këtë çështje dhe nuk mund të ketë përjashtime”.

“Gabim në planifikimin e personelit”

Wisssing i kishte thënë më parë radiostacionit gjerman Deutschlandfunk se personeli i ri për kontrollet e sigurisë dhe trajtimin e bagazheve duhet të rekrutohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Komisioneri i turizmit i qeverisë federale, Müller, fajësoi kompanitë për gabime të konsiderueshme në planifikimin e personelit. Përfaqësues të dhjetë aeroporteve më të mëdha gjermane, policisë federale si dhe autoriteteve të tjera dhe ofruesve të shërbimeve po diskutojnë sot masat që do të merren./DW

Bota Berlini Gjermania Volker Wissing