Aktualitet26 Janar 2023, 11:28

Kaos në Kuvend, Berisha bllokon foltoren; kërkon debat me Ramën për lidhjet me ish-zyrtarin e FBI

Shkruar nga Pamfleti

Ish-kryeministri, Sali Berisha bashkë me deputetët që e mbështesin kanë bllokuar sot foltoren e Kuvendit. Shkak është bërë arrestimi i ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal dhe akuzat e opozitës ndaj kryeministrit Edi Rama në lidhje me të. Berisha, i cili ka kërkuar një mocion me debat për këtë çështje, u shpreh se Shqipëria gjendet në epiqendër të një cikloni për shkak të kësaj ngjarje. Kryetarja e parlamentit, Lindita Nikolla i ka tërhequr vëmendjen, por Berisha ka refuzuar të bindet. Rreth tij është mbledhur dhe garda.

Debati në Kuvend:

Berisha: Janë të implikuar në një aferë korruptive në korruptimin e njërit prej njerëzve në njohuritë më të jashtëzakonshme, më sensitive në SHBA për sigurinë e këtij vendi dhe sigurinë e vendeve të lira. Prej muajsh, një juri ka urdhëruar hetimin e çdo mesazhi, çdo takimi, udhëtimi, dhurate e e-maili të Dorian Duckës, Agron Nezës dhe Edi Ramës.

Kuptohet se për një kontroll të tillë s’bëhet pa vënë nën hetim personat që citohen. Skandali shpërtheu pas arrestimit në aeroportin John Kennedy të McGonigal nga FBI pasi akuzohet se në raport me kryeministrin e Shqipërisë, ka fshehur, ka manipuluar e falsifikuar dokumente, ka marrë porosi me para nga zyra e kryeministrit për të lobuar për paratë ruse.

Nikolla: Ju lutem Berisha, edhe 2 minuta kohë.

Berisha: Ne qëndrojmë sot deri pasnesër në drekë po deshe se ky kryeministër ka përdorur postin për qëllime të pushtetit të tij, e ka përdorur kundër opozitës. Rama të vijë këtu ose të japë dorëheqjen.

Më tej Berisha shtoi: “Këto ditë, Shqipëria gjendet në epiqendër të një cikloni që do poshtëronte çdo vend. Kryeministri i Shqipërisë, ministra të tij, këshilltarë të tij janë të implikuar direkt në një aferë korruptive në korruptimin e njërit prej njerëzve me njohur më të jashtëzakonshme, më sensitive në SHBA për sigurinë e këtij vendi, por edhe sigurinë e vendeve të lira. Prej muajsh, një juri ka urdhëruar hetimin e çdo mesazhi, çdo takimi, çdo udhëtimi, çdo dhurate, çdo e-maili, dhe gjithçka tjetër midis McGonigal, Dorian Duçkës, Agron Nezës dhe Edi Ramës. Kjo juri e citon në vendimin e saj në mënyrë të përsëritur, Edi Ramën dhe vetëkuptohet të dashur qytetarë se për të bërë një kontroll të tillë nuk bëhet pavendosur në hetim personat që citohen., Skandali shpërtheu në mënyrën më të fuqishme pas arrestimit në aeroport të McGonigal nga FBI. i cili akuzohet se në raport me Kryeministrin e Shqipërisë, ai ka fshehur, ka manipuluar, ka falsifikuar, dokumente. Akuzohet se ky njeri i pafytyrë, njeri i pakarakter që ka shkelur interesat e vendit të tij, ka marrë porosi me para nga zyra e Kryeministrit shqiptar për të hetuar lobimin e opozitës”.

Ish-kryeministri u shpreh se opozita do të qëndrojë në parlament dhe në sallë duhet të ketë vetëm një debat që ka të bëjë me këtë çështje. Berisha tha se Rama duhet të jetë i pranishëm në Kuvend për të debatuar ose të shpallë dorëheqjen dhe të dëshmojë në SHBA.

“Rama ka keqshfrytëzuar një njeri të pakarakter, të pamoral, në vend që ta denonconte në vendin e tij, e ka përdorur kundër opozitës. E ka përdorur për manipulime kundër saj. Kjo ndodh vetëm në Korenë e Veriut. Kjo ndodh vetëm në Maduro të Venezueslës. Nuk mund të ketë në parlament debat tjetër përveç këtij debati. Shqiptarët duhet të marrin vesh të vërtetën. Edi Rama të vijë këtu ose të shpallë dorëheqjen dhe të dëshmojë në SHBA. Çfarë kërkoni ju të ndodhë më shumë se kaq”, u shpreh Berisha.

Ditën e sotme 16 deputetët të grupit të Berishës kanë kërkuar që të ndryshohet rendi i ditës dhe të diskutohet mbi takimet e kryeministrit Edi Rama me ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, i cili akuzohet në SHBA se ka marrë 225 mijë euro nga shqiptaro-amerikani Agron Neza. Në kërkesën drejtuar kryetares së Linda Nikollës, deputetët e Rithemelimit thonë se duan të kenë një mocion me debat me Ramën, që ky i fundit të shpjegojë takimet që ka pasur me McGonigal. Sipas Rithemelimit, Rama ka zhvilluar 5 takime sekrete me McGonigal në praninë e dy personave të tjerë, shqiptaro-amerikanit Agron Neza dhe Dorian Duçkës.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Kryesore Berisha Kuvend