
Grupi Parlamentar i PS ditën e sotme i ka paraqitur një kërkesë kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla ku kërkojnë marrjen e masës disiplinore për 5 deputetët e Partisë Demokratike.
Ata kërkojnë që deputetët Sali Berisha, Belind Këlliçi, Flamur Noka, Edmond Spaho dhe Edi Paloka të përjashtohen 10 ditë nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancat plenare të Kuvendit.
Gjithashtu kërkojnë mbledhjen e Sekretariatit për Procedura, votimet dhe etikën për vlerësimin dhe marrjen e masës së propozuar prej tyre.
Kërkesa e tyre ka ardhur pasi ditën e djeshme ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetë të tjerë bllokuan foltoren, gjë e cila krijoi dhe tensione në Parlament.
“Konkretisht këta pesë deputetë, zaptuan foltoren dhe penguan zhvillimin normal të seancës plenare, duke bërë të pamundur që deputetët të merrnin fjalën, siç ishte parashikuar në rendin e ditës. Edhe pas tërheqjes së vëmendjes dhe dhënies së vërejtjes nga drejtuesja e seancës, deputetët e sipërcituar vazhduan të pengonin zhvillimin e rregullt të seancës plenare, duke mbajtur të zaptuar foltoren. Gjithashtu, drejtuesja e seancës u detyrua të merrte edhe masën disiplinore “Për përjashtimin nga seanca plenare” ndaj tyre, por pavarësisht kësaj, këta deputetë nuk pranuan të dalin nga salla”, thuhet në letrën e 7 deputetëve socialistë, teksa kërkojnë marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare deri në 10 ditë”, thuhet në kërkesën e socialistëve.
Nikolla dje e përjashtoi Berishën nga seanca ndërsa kreu i PS-së Taulant Balla në një deklaratë për mediat tha se ndaj çdokujt që shkel rregulloren e Kuvendit duhet të merren masa.