Aktualitet14 Qershor 2022, 18:49

Kaosi me hartën e re gjyqësore, Dhoma e Avokatisë propozim KLGJ-së: Avokatët të bëhen gjyqtarë!

Shkruar nga Pamfleti
Kaosi me hartën e re gjyqësore, Dhoma e Avokatisë propozim

Në foto: Këshilli i Lartë Gjyqësor gjatë mbledhjes për të diskutuar rreth hartës së re gjyqësore

Harta e re gjyqësore ka sjellë pothuajse përgjysmim në të gjithë nivelin e gjykatave në vend.

Vakancat në sistemin e drejtësisë për shkak të procesit të vettingut ka qenë ndër arsyet që kanë “detyruar” Këshillin e Lartë Gjyqësor të rrudhë hartën e gjyqësorit në vetëm 13 gjykata të Shkallës së Parë, 1 Apel në Tiranë, 2 Administrative.

Megjithatë shkrirja e gjykatave ka hasur në kundërshtinë e avokatëve të cilët kanë paralizuar sistemin e drejtësisë, duke lajmëruar grevë 4- ditore.

Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia thotë se problemi fillon tek Gjykatat e Apelit, e cila është qendërzuar në Tiranë.

Për mediet, Haxhia deklaroi se është dhënë një propozim nga Komuniteti i Avokatëve për KLGJ-në, sipas së cilës një pjesë e avokatëve mund të kthehen në gjyqtarë për të drejtuar gjykatat deri sa të përmbushen vakancat për shkak të vettingut.

Në komunitetin e avokatëve ka juristë të shkëlqyer që mund t’i angazhojnë derisa të plotësohen vakancat në sistem e të bëhet i plotë procesi i vetingut”- tha Haxhia, duke shtuar se: “Ne seleksionuam më të mirët, dhe i thamë KLGJ-së merr kë të duash.”

Po ashtu, sipas avokatit Gentian Rumano harta e re do të cenojë aksesin në gjykatë për shumë individë, do të rrisë kostot, angazhimin e avokatëve nga rrethet për të pasur qasje në gjykatën e Tiranës.

Nuk e di si mund ta kenë menduar, pasi kjo nuk garanton akses për qytetarët”, u shpreh Rumano. Ndërsa vihet në dukje se nuk është përcaktuar se si do të vijohet me ushtrimin e detyrës së gjyqtarëve, pasi gjykatat në të cilat ata ushtronin funksionin janë mbyllur.

Mirëpo sa funksional mund të jetë propozimi i Dhomës së Avokatisë?

Horrori me drejtësinë shqiptare është se tek ne gjen prokurorë dhe gjyqtarë të shkarkuar nga vetting ose edhe të tjerë që me dëshirën e tyre janë kthyer në avokatë, për të mbrojtur mes dhjetëra individëve në vendin tonë, edhe persona të inkriminuar të cilët vetë i hetuan dhe vetë i futën në burg në të kaluarën.

Nga ana tjetër, si për të plotësuar pazëllin, tashmë kemi avokatët që duan të kalojnë nga pozicioni që ruajnë aktualisht, në gjyqtarë, për të mbushur përkohësisht vakancat.

Vlen të theksohet se, debati për hartën e re gjyqësore ka rreth 2 vite që vijon. Ngërçi erdhi për shkak të kundërshtimeve të Ministrisë së Drejtësisë. Etilda Gjonaj asokohe nuk e pranoi idenë e gjyqësorit me një gjykatë Apeli vetëm në Tiranë, kështu që procedurat mbetën ne mes. Me ndryshimin e ministrave në qeverinë Rama, shefi i ri i Drejtësisë shqiptare, Ulsi Manja, ka rënë dakord me ndryshimet duke i dhënë KLGJ-së në parim dritën jeshile për të vepruar. Tani pritet edhe shprehja e dakordësisë zyrtarisht ndërsa drafti i ka kaluar për mendim Këshillit të Ministrave, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Financave./ Pamfleti

Aktualitet dhoma e avokatise Harta e re Gjyqësore Vakancat në sistemin e drejtësisë vetting