Aktualitet16 Qershor 2022, 16:29

Kaosi me rrudhjen e gjykatave, KLGJ ja kalon topin qeverisë për rishikimin e hartës së re

Shkruar nga Pamfleti
Kaosi me rrudhjen e gjykatave, KLGJ ja kalon topin qeverisë për

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar pas kaosit të krijuar në gjykata. Avokatët kanë bojkotuar seancat gjyqësore këtë javë duke sjellë shtyrjen e mijëra çështjeve. Po ashtu ideja e KLGJ për të rrudhur gjykatat e apelit dhe për të pasur vetëm një të tillë në Tiranë kundërshtohet ashpër.

Në një reagim për mediat, KLGJ vijon të këmbëngulë se kjo hartë ndihmon në rritjen e cilësisë së gjyqësorit, teksa ka shtuar se konkluzioni u arrit pas një konsultimi të gjerë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor sqaron se Grupi Ndërinstitucional i Punës, ka hartuar raportin vlerësues përfundimtar mbi organizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave, në respektim të parimeve dhe kritereve të përcaktuara në ligjin 98/2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, i ndryshuar, duke mbajtur në konsideratë gjendjen në të cilën ndodhet sot sistemi gjyqësor, në respektim të detyrimit kushtetues të Këshillit të Lartë Gjyqësor për të garantuar mbarëvajtjen e funksionimit të këtij sistemi”, theksohet në deklaratë.

Sipas saj, raporti përfundimtar vlerësues është produkt i një procesi gjithëpërfshirës konsultimi. KLGJ shprehet se ai reflekton një kontribut të përbashkët të Këshillit dhe Ministrisë së Drejtësisë, Gjykatave dhe partnerëve ndërkombëtare.

Këshilli në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë zhvilluan në fillim të vitit 2022, ciklin e konsultimeve publike mbi propozimin e riorganizimit të rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave. Opinionet dhe sugjerimet iu nënshtruan një procesi vlerësimi nga Grupi i Punës për të vijuar më pas me rishikimin e raportit vlerësues dhe finalizimin e projekt-propozimit për riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave”, shprehte KLGJ.

Më tej bëhet e ditur se kjo hartë synon rritjen e efikasitetit dhe efektshmërisë së gjykatave. KLGJ shprehet se ajo garanton shpërndarje të ekuilibruar të ngarkesës mes gjykatave dhe gjyqtarëve në funksion të marrjes së drejtësisë në mënyrë të barabartë dhe në të njëjtën kohë për të gjithë qytetarët.

Por nga ana tjetër KLGJ e ka kaluar topin te qeveria. Ajo shprehet se konsultimet do të vijojnë, teksa shton se në fund do të jetë Këshilli i Ministrave që do të vendosë. Pra KLGJ e bën të qartë se jo nuk ndërhyn dhe në një farë mënyre duhet t’i kërkohet qeverisë që të dalë me një tjetër model.

Këshilli i Lartë Gjyqësor bën me dije se në referim të ligjit 98/2016, i ndryshuar, miratimi i “Raportit përfundimtar vlerësues dhe propozimit të Grupit Ndërinstitucional të Punës mbi Hartën e Re Gjyqësore”, përbën fazën e parë me natyrë vlerësuese të riorganizimit dhe kompetencave tokësore të gjykatave dhe i hap rrugën procesit të marrjes së mendimit nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Financave, përpara kalimit në fazën e dytë, e cila gjithashtu do të kërkojë nga Këshilli formalizimin në një vendimmarrje tjetër miratuese të bashkëpropozimit për “Hartën e Re Gjyqësore” dhe përcjelljen e tij për miratim Këshillit të Ministrave. Miratimi përfundimtar i bashkëpropozimit për “Hartën e Re Gjyqësore” është kompetencë ligjore ekskluzive e Këshillit të Ministrave”, thekson njoftimi.

Aktualitet harta KLGJ ndryshime