Aktualitet29 Nëntor 2022, 18:46

Kapitulli 23/ BE vë në rresht krerët e drejtësisë shqiptare, ultimatum të luftojnë korrupsionin

Shkruar nga Pamfleti
Kapitulli 23/ BE vë në rresht krerët e drejtësisë

Deri më tani drejtësia ka tentuar të godasë të korruptuarit, por ka dështuar përballë “peshkaqenëve” të politikës. Asnjë personalitet i lartë nuk është pas hekurave, ndonëse SPAK ka disa dosje të bujshme…

Bashkimi Europian ka vënë në rresht krerët e drejtësisë shqiptare sa i takon reformave dhe luftës kundër korrupsionit. Pas hapjes së negociatave ka nisur procesi screening, pra i përshtatjes së legjislacionit të Shqipërisë me BE dhe në këtë kuadër është diskutuar Kapitulli 23.

Për këtë arsye, në Bruksel janë thirrur thuajse të gjithë krerët e drejtësisë dhe jo vetëm, të cilët kanë dhënë sqarime mbi ndryshimet ligjore dhe ecurinë e luftës antikorrupsion. Njoftimi është bërë nga vetë Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili ka dhënë detaje nga takimi.

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë z.Alfred Balla së bashku me anëtaren e Këshillit, prokuroren Eloida Goxhi, ishin në përbërje të delegacionit të Shtetit Shqiptar që raportoj në datat 24-25 Nëntor 2022 në Bruksel përpara zyrtarëve të lartë të Komisionit Europian, mbi arritjet e deritanishme të sistemit gjyqësor e prokurorial.

Në këtë delegacion morën pjesë edhe shumë drejtues të tjerë të institucioneve të larta të drejtësisë dhe atyre të pavarura si Inspektori i Lartë i Drejtësisë z.Metani, Kryetarja e KLGj-së znj.Llagami, Kryetarja e KPA-së znj.Shtylla, Kryetarja e KPK-së znj.Qirko, Inspektorja e Përgjithshme e ILDKPKI-së zonja Bashari, Kryetarja e GjKKKO-së Znj. Irena Gjoka, Drejtorja e BKH-së znj.Hajna, Kryenegociatorja e Shqipërisë znj.Dhuka, Zv.Ministre e Drejtësisë znj.Pirdeni etj. Pas raportimeve secili zyrtar ju përgjigj pyetjeve të palës Europiane. Konkluzioni për përmbushjen e detyrave që kanë të bëjnë me këtë kapitull (23), nga pala Europiane pritet të jepet gjatë pranverës 2023”, njofton KLP.

Sipas informacioneve zyrtare, BE kanë bërë pyetje specifike për secilin drejtues, por fokusi kryesor ka qenë te forcimi i luftës ndaj korrupsionit. Deri më tani drejtësia ka tentuar të godasë të korruptuarit, por ka dështuar përballë “peshkaqenëve” të politikës. Asnjë personalitet i lartë nuk është pas hekurave, ndonëse SPAK ka disa dosje të bujshme. Ndërkohë që BE ka lënë afat pranverën e vitit 2023 për rezultate. Në këtë periudhë do dalë raporti i ecurisë së procesit dhe brenda kësaj periudhe BE kërkon që të ketë rezultate konkrete nda korrupsionit.

Çfarë është Kapitulli 23?

Në progres-raportin për Shqipërinë janë një sërë kapitujsh që do të hapen për diskutim dhe më të rëndësishmit janë kapitujt 23 dhe 24.

Kapitulli 23 ndahet në katër fusha kryesore dhe të ndërlidhura: i) gjyqësori, ii) lufta kundër korrupsionit, iii) të drejtat themelore të njeriut si dhe iv) të drejtat e qytetarëve të BE-së, të cilat në vetvete ndahen më tej në një numër nën-fushash.

Situata aktuale e sistemit gjyqësor në Shqipëri pasqyron tiparet e tranzicionit të shoqërisë sonë dhe, si e tillë, është akoma larg standardeve europiane. Qytetarët shqiptarë përballen çdo ditë me fenomene si korrupsioni, mungesa e profesionalizmit, integritetit dhe pavarësisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat sjellin pengesa serioze në mirëfunksionimin e drejtësisë dhe ndikojnë në uljen e besimit të publikut në institucionet e saj. Për këtë arsye, shteti dhe shoqëria shqiptare janë tërësisht të interesuar për reformimin e plotë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri”, thuhet në Kapitullin 23.

Pra, në çdo mbledhje që do bëhet me BE, këta dy kapituj do jenë kryefjala. Kroacia dhe Rumania nisën arrestimet e bujshme pikërisht kur hapën këta kapituj. Atje u arrestuan me mijëra zyrtarë, përfshi ish-kryeministrat, ministra, deputetë dhe krerë bashkish. /Pamfleti

Kryesore BE Korrupsioni negociata