Sport 4 Nëntor 2022, 21:06

Kartoni i kuq, momenti që bëri kthesën në karrierën e Kristiano Ronaldos, si u bë CR7 golëshënuesi më i mirë në botë

Shkruar nga Pamfleti
Kartoni i kuq, momenti që bëri kthesën në karrierën e

Kartoni i kuq, momenti që bëri kthesën në karrierën e Kristiano Ronaldos, si u bë CR7 golëshënuesi më i mirë në botë

Momenti që bëri kthesën në karrierën e Kristiano Ronaldos në Premier Ligë, duke e shndërruar në golashënuesin më të mirë në botë, ishte një karton i kuq. Libri i ri “Mesi kundër Ronaldos:

Një Rivalitet, Dy më të Mirët dhe Epoka që Ribëri Futbollin” zbulon detaje të reja se si një karton i kuq në kampionat kundër Portsmuthit në vitin 2007, i shtroi rrugën një muaji stërvitje intensive përpara porte, duke e shndërruar portugezin në sulmuesin më vrastar në botë. Pas një nisje zhgënjyese të sezonit, Junajtid po i drejtohej barazimit të dytë radhazi pas frenimit kundër Redingut në “Old Trafford”.

Me rezultatin 1-1, zemërimi mbizotëroi mbi sulmuesin në minutat e fundit, ndërsa ai u përplas me mesfushorin skocez, Riçard Hjuxhs, duke vendosur kokën në fytyrën e tij në minutën e 85-të. Hjuxhs mbajti fytyrën me dorë dhe me incidentin që u zhvillua përpara syve të arbitrit Stiv Benet, CR7-ës iu tregua kartoni i kuq pa hezitim nga gjyqtari, i cili e kishte ndëshkuar me të kuq edhe për një ndërhyrje të ashpër ndaj Endrju Kolit kundër Sitit.

Sër Aleks Ferguson u tërbua me vendimin, por ylli i tij nuk i shpëtoi dot pezullimit me tri ndeshje, duke e lënë atë jashtë në ndeshjen kundër Sitit, Totenhemit dhe Sandërlendit. Por jo vetëm kaq, ndeshja në shtëpi kundër Sandërlendit ishte e fundit përpara pushimit të kombëtareve, duke bërë që Ronaldo ta vishte sërish fanellën e Junajtidit pas një tjetër muaji, në ndeshjen kundër Evertonit në “Goodison Park” në mesin e muajit shtator.

Ndihmësi i Fergusonit, Rene Mulenstin punoi me Kristianon personalisht gjatë atij muaji jashtë, ndërsa portugezi nuk udhëtonte me skuadrën gjatë ndeshjeve dhe i lejohej të mungonte si në seancat stërvitore taktike ashtu edhe në ato të rehabilitimit. Me më shumë kohë të lirë në dispozicion, ai vendosi të ushtrohej më gjatë individualisht në stërvitje dhe me ndihmën e trajnerit të skuadrës së parë ata punuan për të përmirësuar finalizimin.

Trajneri holandez kishte identifikuar një defekt në lojën e Ronaldos: ai ishte më i përqendruar të shënonte gola të bukur sesa sasi. Trajneri e vuri të studionte videot e ish-sulmuesve të Junajtidit si Kantona dhe Van Nistelroi dhe pas teorisë, CR7-ta zbriti në fushë, ku Mulenstin ndërtoi disa ushtrime goditjesh.

“Ai krijoi një seri me ushtrime goditjeje për ta ndihmuar Ronaldon me orientimin e tij në fushë dhe për t’i treguar se si të shënonte nga kënde të ndryshme brenda zone. Ai ndërtoi një hartë të fushës dhe portës për të kategorizuar çdo lloj finalizimi.

Duke u fokusuar në tri zona të ndryshme përpara porte dhe në 9 pozicione të ndryshme brenda porte”, shkruhet në libër. Entuziazmi i CR7-ës ishte i madh, aq sa kur trajneri mbërrinte në qendrën stërvitore “Carrington” e gjente shpesh sulmuesin përpara derës së zyrës së tij. Aq intensive ishte stërvitja e tij sa mendohet se Ronaldo shënoi atë muaj në stërvitje 5 mijë gola. “I gjithë botëkuptimi i tij për finalizimin ndryshoi”, tregon Mulenstin për autorët e librit. “Ai kapërceu nga ‘unë dua të shënoj golin e vitit’ në ‘unë dua të jem një makineri golash’. Ai kishte një mision”.

Rezultatet ishin afatshkurtër dhe afatgjate. Pasi shënoi 17 gola në Premier Ligë një sezon më parë, Ronaldo realizoi 31 gola në 2007- ‘08 dhe 42 në të gjitha kompeticionet. Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit e njeh sot si shënuesin më të mirë të historisë së futbollit me 813 gola. Kjo pjesërisht falë edhe leksioneve të Mulenstin dhe atij kartoni të kuq në “Fratton Park” 15 vite më parë./Panorama Sport

Sport Kristiano Ronaldo ylli portugez