
Reshjet e dendura të shiut e borës po pengojnë përpjekjet e ekipeve të shpëtimit, të vëna në garë me kohë për gjetjen e të mbijetuarve pas tërmetit shkatërrimtar që goditi orët e para të së hënës Turqinë juglindore dhe Sirinë fqinje.
Mbi 7 mijë të vdekur e 18,000 të plagosur është deri tani bilanci i fatkeqësisë. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet në mënyrë dramatike pasi ekipet e shpëtimit po vazhdojnë të gjejnë trupa të pajetë nën rrënoja. Në provincën jugore të Hatay-t, zëri i një gruaje është dëgjuar të thërrasë për ndihmë nën një pirg gërmadhash, por nuk është nxjerrë dot.
Pamjet tronditëse të përcjella nga AFP, që tregojnë momentet e nxjerrjes së trupave të pajetë të dy vëllezërve të përqafuar, u kthyen në dëshminë më të dhimbshme deri tani të tragjedisë që ka pllakosur Turqinë. Nuk mungojnë megjithatë as lajmet e shpresës, siç ishte ai i shpëtimit të një gruaje dhe tre fëmijëve të saj pas 28 orësh të kaluara nën gërmadha.
Mjaft njerëz në zonën e fatkeqësisë kanë ende shumë frikë që të kthehen në shtëpitë e tyre. Tërmeti me magnitudë 7.8 goditi në orën 04:17 të mëngjesit të hënën në një thellësi prej 17.9 km pranë qytetit turk të Gaziantep, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA. Sizmologët thonë se ishte një nga më të mëdhenjtë e regjistruar ndonjëherë në Turqi, ku gati 7000 janë të vdekurit deri tani. Të mbijetuarit thonë se lëkundjet e dhunshme të tokës zgjatën për dy minuta. Një tërmet tjetër me një magnitudë 7.5 ra disa orë më vonë, me epiqendër Elbistanin në provincën Kahramanmaras.