Skenar i mafies me maskën “Inversitor Strategjik”/ Deri tani, ish-pronarët kanë pritur e janë sjellë vërdallë për 30-të vite nga qeverisjet PD-PS-LSI, të cilat u premtuan mbyllje të procesit brenda vitit 1996, 2000, 2010 e 2020, ndërsa me këtë projekt-ligj, duhet të ëndërrojnë edhe 14-të vite të tjerë për të marrë tokat e kompensimet.
Qeveria shqiptare, në pamundësi për t’a përmbyllur procesin brenda mandatit të parë siç premtoi kur erdhi në pushtet dhe brenda mandatit të dytë, kur mori votat më 2017-ën, ka menduar të vazhdojë lojën me procesin e mos-kthimit dhe mos-kompensimit të pronave.
Sipas informacionit, kryeministri Rama i ka kërkuar Drejtorit të Kadastrës Artan Lame, Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhe Ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, të hartojnë një draft-propozim të përbashkët, për zgjatjen e afatit të kthim-kompensimit të pronave.
Ky afat është parashikuar të jetë deri më 31 dhjetor 2035, duke u shpallur si premtim dhe kufi i fundit për finalizimin e këtij procesi, që në Shqipëri është burim konfliktesh me pasoja jetike, ndërsa Këshilli i Europës e ka 1 nga 5 prioritetet kryesore për hapje negociatash me BE.
Shkak është korrupsioni qeveritar e gjyqësor me grabitjen e pronave, skemat e pushtetarëve, oligarkëve e kriminelëve për t’i marrë falas me projekte investimesh strategjike private, pafuqia e shtetit për të paguar vlerën te pronarët legjitim dhe mungesa e sipërfaqeve për kompensime fizike në toka e troje ekuivalente.
Deri tani, ish-pronarët kanë janë sjellë vërdallë 30-të vite nga të tre qeverisjet PD-PS-LSI, të cilat u premtuan mbyllje të procesit brenda vitit 1996, 2000, 2010 e 2020; ndërsa me këtë projekt-ligj, ish-pronarët duhet të pesin e shpresojnë dhe 14-të vite të tjerë, për të marrë tokat apo kompensimet.
Ky nuk është rasti i parë që shtyhet afati kohor për pronat; përkundrazi, të gjithë pushtetet në 28 vite, kanë miratuar qëllimisht 66 ligje e 171 vendime qeverie anti-kushtetuese, që nuk i kthyen dhe nuk i kompensuan pronat, por krijuan kaos, konflikte e bllokim, siç ishin dhënë porositë nga Ramiz Alia me platformën “Katovica”. Tipik është Ligji Nr. 9235, datë 29.7.2004, i cili deri para 1 viti ka ndryshuar 17 herë e nuk është zbatuar asnjëherë, për shkak se qëllimisht është hartuar bashkërisht nga PD-PS e LSI, që të binte ndesh me ligjet e tjera.
Afati i gjatë kohor prej 14-të vitesh shtyrje, është vazhdim i mashtrimit me pronat, si skemë për të mos u shqetësuar nga pronarët dhe BE, duke e përdorur kufirin e këtij afati si justifikim e mburojë ligjore.
Nga Edi Rama, loja zyrtare me bllokimin e pronave, ka nisur më 28 gusht 2015, kur nëpërmjet një takimi qeveritar në Vlorë, me temë “Detyrimi dhe drejtësia jonë për kthim-kompensimin e pronave”, firmosi një marrëveshja bashkëpunimi me Policinë e Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme, Gjykatën e Lartë, Hipotekën, Avokaturën e Shtetit dhe Agjencinë e Kthimit-Kompensimit të Pronave.
Pas firmosjes së marrëveshjes, Edi Rama deklaroi: “Zgjodhëm Vlorën sepse është zona më problematike lidhur me çështjen e pronave, për t’a nisur këtej e për t’a fshirë përfundimisht brenda vitit 2020 në gjithë Shqipërinë, këtë “gangrenë” që krijuan dhe na e lanë neve në kurriz”.
Sot, 6 vite pas asaj deklarate, Rama jo vetëm nuk e ka mbyllur çështjen e pronave, por do t’a shtyjë bazën ligjore deri në vitin 2035, si mundësi për të qëndruar i qetë ai dhe pasardhësi i tij. Ndërsa 2 vite më parë, ka hartuar 1 ligj e 3 vendime qeverie me objekt “Investitorët strategjik”, si mundësi që shteti të grabisë toka e troje ish-pronarësh dhe t’ia dhurojnë oligarkëve, kriminelëve e klientëve të kupolës qeveritare./Pamfleti