
"Kazan", Drejtori i "Zërit të Amerikës" i kthehet ashpër Ramës: Raportime të sakra dhe të paanshme, bëjmë gazetari të jashtëzakonshme!
Brenda një kohe të shkurtër, “Zëri i Amerikës” i dha një goditje të fortë qeverisë së Edi Ramës, teksa publikoi dy investigime që tronditën opinionin shqiptarë. I pari kishte të bënte me punësimet klienteliste dhe partiake, që bëheshin në drejtorinë e përgjithshme të burgjeve, dhe tjetri edhe më i rëndë, hapte dosjen 339/1 të organizatës kriminale të Avdylajve, ku nëpërmjet përgjimeve zbulohej se në shumë zona të vendit zgjedhjet e vitit 2017 ishin blerë nga socialistët në bashkëpunim me krimin e organizuar.
Në të dyja rastet, reagimi i kryeministrit dhe kryetarit të PS, Edi Rama, ka qenë i paprecedentë duke e quajtur median që njihet zëri kryesor i DASH në vendin tonë, Zërin e Amerikës, si “media kazani”.
Ashtu siç bëri për rastin e parë, edhe për investigimin e përgjimeve të kryetarit të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, me eksponentë të grupit të strukturuar kriminal të Shijakut, këtij etiketimi të Ramës i është kundërpërgjigjur shefi i seksionit të Euro-Azisë në VOA, Elez Biberaj, në një prononcim për mediat shqiptare.
“Shërbimi Shqiptar i “Zërit të Amerikës”, ka ofruar vazhdimisht raportime të sakta dhe të paanshme për zhvillimet në Shqipëri dhe unë qëndroj plotësisht pas integritetit dhe gjykimit të këtyre lajmeve. Shërbimi Shqiptar, me krenari vazhdon misionin e Zërit të Amerikës për të prodhuar gazetari me vlerë të jashtëzakonshme në mbështetje të lirisë dhe demokracisë si dhe fuqizimin e audiencës së saj me lajme dhe informacione të sakta, objektive të balancuara, në mënyrë që ata të mund të marrin vendime për të informuar”, deklaron shefi i seksionit të Euro-Azisë në VOA, Elez Bieraj