
Ukraina duket se ka marrë një dritë jeshile përsa i përket fillimit të procesit të anëtarësimit në BE.
Pas mbështetjes që ka marrë nga zyrtarët e 4 shteteve europiane, në takimin me krerët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Rumanisë, Presidenti i Ukrainës deklaroi që vendi i tij nuk ka qënë kurrë me afër Bashkimit Europian sesa tani.
Lajmi i mirë nuk ka vonuar, ku ditën e sotme Komisioni Evropian rekomandon që Ukraina dhe Moldavia të caktohen kandidatë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke sjellë shpresat e tyre për t’u bashkuar një hap më afër.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka dhënë një deklaratë për aplikimet për anëtarësim në BE nga Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia.
“Ne kemi një mesazh të qartë, dhe po, Ukraina meriton perspektivën evropiane, Ukraina duhet të mirëpritet si një vend kandidat. Kjo duhet kuptuar, se është bërë punë e mirë, por punë e rëndësishme mbetet për t’u bërë. I gjithë procesi bazohet në merita, kështu që ecën plotësisht dhe përparimi varet tërësisht nga Ukraina. Pra, është Ukraina ajo që e ka në duart e saj”, deklaroi Presidentja Leyen.