Sport28 Dhjetor 2022, 19:44

“Kemi bërë punë të jashtëzakonshme”, Anjeli flet si ish-President i Juves por bardhezinjtë e mbyllin vitin me 238 mln euro humbje

Shkruar nga Pamfleti
“Kemi bërë punë të jashtëzakonshme”, Anjeli

“Kemi bërë punë të jashtëzakonshme”, Anjeli flet si ish-President i Juves por bardhezinjtë e mbyllin vitin me 238 mln euro humbje

Mbledhja e aksionerëve të Juventusit u bë dje dhe miratoi pasqyrat financiare të mbyllura më 30 qershor 2022. Sipas publikimeve të klubit, humbja është në rendin e 238.1 milionë eurove, e cila është mbuluar nga përdorimi i rezervës së mbivendosjes së aksioneve. Në kuadër të mbledhjes së aksionerëve u prezantuan edhe pasqyrat financiare të konsoliduara më 30 qershor 2022, të cilat tregojnë humbje prej 238.3 milionë eurosh, teksa u konfirmuan edhe emërimet e bëra një ditë më parë në lidhje me bordin drejtues.

Fjala e ish-Presidentit – Andrea Anjeli foli në mbledhjen e aksionerëve të Juventusit, e fundit me të si president ku buxheti 2021-2022 u miratua me një humbje për vitin mbi 238 milionë euro. Për shkak të implikimeve të hetimit të Prisma-s dhe jo vetëm kaq, bordi drejtues i Juventusit dha dorëheqjen, çështje për të cilën ai tha:

“Largimi nga zyra si president nuk ishte i lehtë, por gjithmonë kam punuar shumë për të marrë rezultate. Juventusi vjen para së gjithash dhe tani ne duhet të mbrojmë interesat e klubit. Jam plotësisht i bindur se kam bërë mirë dhe jemi ngushëlluar nga mendimi i profesionistëve dhe ekspertëve të pavarur, të cilët kanë vërtetuar korrektësinë e plotë të punës së bordit tonë”.

Mbi 10 takime – Më pas, Anjeli vijoi të flasë për kulisat e largimit të tij së bashku me drejtuesit e tjerë. “Vërejtjet ndaj nesh nuk janë të justifikuara, prandaj ishte e drejtë të bëhej një hap prapa, ndërkohë që klubi duhet të mbrojë pozicionin e tij. Mbetet fakt që rezultatet e arritura ishin të jashtëzakonshme. Në muajt e fundit, Juventusit si klub i është dashur të përballet me sfida të paprecedenta. Bordi drejtues ka analizuar elementet e marra nga autoritetet.

Puna ka qenë shumë kërkuese në interes të Juventusit dhe aksionarëve. Nga shtatori deri në dhjetor jemi takuar më shumë se 10 herë dhe në të njëjtën periudhë jemi takuar rregullisht me audituesit. Pas punës që kemi kryer, bordi ka kërkuar që të rishikohen disa vlerësime, duke i komunikuar ato plotësisht e me transparencë”, përfundoi ai që tashmë është ish-presidenti i Juves, i cili iu kundërvu edhe gazetarëve për të mbrojtur Nedvedin.

Sport Andrea Anjeli ish-presidenti i Juventusit