
Ashtu sikurse kancelari gjerman Olaf Scholz, edhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen thekson se vendet Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e BE-së për një stabilizim të unionit përballë faktorëve të jashtëm.
Gjatë fjalës së mbajtur në edicionin e 17-të të Forumit Strategjik të “Bledit” 2022, Von der Leyen njoftoi se BE ka nisur planin për të mobilizuar rreth 20 miliardë euro investime në Ballkanin Perëndimor.
‘Ne kemi një interes të qartë strategjik që vendet e Ballkanin Perëndimor të vazhdojnë dhe të anëtarësohen në BE. Prosperiteti i Ballkanit Perëndimor është prosperiteti i BE-së. Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor, është stabiliteti i Bashkimit Europian. Kemi nisur planin tonë me një financim prej 9 miliardë eurosh, me qëllimin për të mobilizuar rreth 20 miliardë euro investime në Ballkanin Perëndimor. Kjo është arsyeja se pse çelja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është një gur kilometrik. Ishte një sukses për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të forcojmë demokracitë në Europë. Ka të bëjë më vlerat tona të përbashkëta’- tha Von Der Leyen.
Vlen të theksohet se, më herët gjatë një fjalimi në Pragë, Scholz tha se BE-ja duhet të bëhet gati për zgjerim të mëtejshëm, në mënyrë që ti bëjë ballë rivalëve të jashtëm si Rusia dhe Kina. Ai po ashtu përmendi idenë e ndryshimit të rregullave të vendimarrjes brenda organizatës, me qëllim shmangien e një ngërçi sikurse në rastin e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.