Bota 9 Tetor 2022, 15:01

Kërcënimi bërthamor nga Putini, SHBA porosit rreth 300 mln dollarë ilaçe kundër rrezatimit nuklear

Shkruar nga Pamfleti
Kërcënimi bërthamor nga Putini, SHBA porosit rreth 300 mln

Qeveria amerikane ka shpenzuar 290 milionë dollarë për ilaçet e sëmundjes së rrezatimit, teksa kërcënimi i një Putini të izoluar për përdorimin e armëve bërthamore rritet çdo ditë.

Investimi i SHBA-së në përgatitjen e luftës bërthamore vjen në kohën e asaj që Presidenti Biden e ka përshkruar si rrezikun më të lartë bërthamor që nga kriza e raketave Kubane e vitit 1962. Por, qeveria tha se blerja e pilulave Nplate nuk kishte asnjë lidhje me të.

Një zëdhënës i Departamentit të Shërbimeve Njerëzore në Uashington, i cili njoftoi vendimin, i tha Daily Telegraph se kjo është pjesë e punës për gatishmërinë dhe sigurinë radiologjike.

 “Kjo është pjesë e punës sonë të vazhdueshme për gatishmërinë dhe sigurinë radiologjike. Nuk është përshpejtuar nga situata në Ukrainë.”, tha ajo.

Pilulat Nplate përdoren për të trajtuar sindromën akute të rrezatimit, një nga kërcënimet më të rrezikshme të shkaktuara nga shpërthimet bërthamore.

Shtëpia e Bardhë ka thënë vazhdimisht se nuk ka parë asnjë tregues se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore, pavarësisht retorikës së Putinit.

Presidenti Joe Biden tha të enjten se kërcënimi i Putinit për të përdorur armë bërthamore në Ukrainë e ka sjellë botën më afër “Armagedonit” se në çdo kohë që nga kriza e raketave Kubane të Luftës së Ftohtë.

Sëmundja nga rrezatimi ndodh kur i gjithë trupi i një personi është i ekspozuar ndaj një doze të lartë të rrezatimit depërtues, duke arritur në organet e brendshme brenda pak sekondash.

Simptomat përfshijnë koagulimin e dëmtuar të gjakut, i cili mund të çojë në gjakderdhje të pakontrolluar dhe kërcënuese për jetën.

Bota #Kërcënimi bërthamor nga Putini SHBA porosit rreth 300 mln dollarë ilaçe kundër rrezatimit nuklear