Anti-Mafia20 Tetor 2022, 08:27

Kërcënimi i Lefter Kokës është për Edi Ramën, si “koka” e aferës së landfilleve

Shkruar nga Pamfleti
Kërcënimi i Lefter Kokës është për Edi Ramën,

Kërcënimi i Lefter Kokës është për Edi Ramën, si “koka” e aferës së landfilleve

Edi Rama nuk e mbajti premtimin dhe ish-ministri Lefter Koka vazhdon të jetë i vetmi në burg për aferën e madhe të landfilleve

Durimi pas një premtimi “burrash”, për të mos folur për punët e pista, por që nuk mbahet nga njëra palë, ka një kufi dhe kur shkelet, me të drejtë pakti prishet e gjërat dalin sheshit.

Kështu ka qenë i detyruar, të paralajmërojë dhe ish-ministri Lefter Koka, i cili i (zh)gënjyer nga Edi Rama, prej premtimit se nuk do mbahej as 1 muaj në paraburgim, pas 10 muajsh në qeli ka humbur durimin dhe i ka dërguar mesazh publik për hapje letrash.

Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme, për të mos e liruar me “Arrest shtëpie” si Alqi Bllakon, avokati i tij Julian Mërtiri, ka deklaruar: – “Gjyqi do të jetë i hapur dhe do të dëgjoni fakte e të vërteta, që nuk i keni dëgjuar deri tani”.

Ky paralajmërim, nuk është mesazh i koduar, por u tha troç e qartë, që ish-ministri Lefter Koka ka vendosur të rrëfejë, për zullumet e kupolës së vërtetë qeveritare të landfilleve, pasi e pa që nuk iu hoqën prangat, siç iu premtua.

Këtë hakmarrje, Lefter Koka ka vendosur ta bëjë publikisht në seancë gjyqësore, ndaj atyre që e joshën dhe e futën në aferën e mbetjeve, duke i marrë firmat e miratimit sikur i kërkonin “autografe” me dolli në dorë.

Sepse me vendimin e fundit të gjykatës, ish-ministri Koka u bind që do dënohet, sinjal që tregon se nuk do t’i çlirohen as pronat në sekuestro.

Nuk do shumë mend të kuptohet, se me mesazhin e tij: – “Do dëgjoni fakte e të vërteta, që nuk i keni dëgjuar deri tani”, Lefter Koka i adresohet Edi Ramës, mbasi zyrtarisht e në pazare private, kryeministri është koka e aferës së landfilleve.

Sepse niveli qeveritar i Lefter Kokës si ish-ministër i landfilleve, nuk parashikon kërcënim ndaj vartëve të tij që i zbatonin urdhërat, por ndaj kryeministrit Rama që e ka joshur, bindur e urdhëruar të firmos dokumentet fiktive për lejet, kostot dhe tokat e landfilleve.

Ndoshta, përveç Edi Ramës, mesazhi i Lefter Kokës mund të ketë trembur dhe treshen Ahmetaj-Veliaj-Gjiknuri, si “aktorët” kryesorë të aferës së plehrave, por gjersa kërcënimi është bërë pas lënies në burg, fjala është për Edi Ramën, pasi vetëm ai ka fuqi te drejtësia.

Të presim e të shohim çfarë do ndodhë pas këtij mesazhi, mbasi deri tani, në burg ka mbetur vetëm Lefter Koka, paçka se Babloku i premoi që nuk do mbahej më shumë se 1 muaj, si “sakrificë” për mbylljen e dosjes dhe shpëtimin e krejt bandës së plehrave.

Por kaluan 10 muaj e ai vazhdon të jetë në burg, madje i vetmi prej tyre, ndërsa Alqi Bllako u tregua më i fortë dhe… doli nga burgu./Pamfleti

Anti-Mafia #Lanfillet Edi Rama kercenimet Lefter Koka