Bota18 Tetor 2018, 07:26

Kërcënuesit e “padukshëm” të serbëve të Kosovës

Shkruar nga Pamfleti
Kërcënuesit e “padukshëm” të serbëve

Kërcënuesit e "padukshëm" të serbëve të Kosovës

Pllakatet apo pamfletet me përmbajtje kërcënuese ndaj pjesëtarëve serbë, që janë pjesë e institucioneve të sigurisë në Kosovë, të cilat bartin nënshkrimin e të ashtuquajturës “Armata e veriut”, nuk vërtetojnë ekzistencën e një organizate të tillë paraushtarake në veri të Kosovës, thonë zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe njohësit serbë të zhvillimeve politike.

Kërcënimet përmes pllakateve të vendosura në hapësira publike, ka pasur vite më parë për pjesëtarët e komunitetit serb që të mos bëhen pjesë e Policisë së Kosovës, ndërkaq që gjatë këtij viti, janë kërcënuar pjesëtarët serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për ta braktisur këtë forcë.

Besim Hoti, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë që policia nuk ka asnjë informacion që e ashtuquajtura “Armatë e veriut” është ekzistuese në territorin e Kosovës.

Sipas tij, individë të ndryshëm, për qëllime të karaktereve të ndryshme, thirren në organizata të cilat nuk janë ekzistuese dhe janë të panjohura për opinionin publik. Kjo për shkak që, siç thotë ai, të sajojnë përmasa më të mëdha të seriozitetit të kërcënimit.

“Kemi pasur letra kërcënuese, në situata të ndryshme, kohë më herët, për arritje të qëllimeve të karakterit politik ose të qëllimeve tjera të karakterit individual. Mirëpo, për ekzistencën e organizatave të tilla, të cilat do të ishin të armatosura ose që do ta rrezikonin sigurinë deri në një nivel të tillë, Policia e Kosovës nuk ka informacion, për ekzistencën e tyre në territorin e Republikës së Kosovës. Jo vetëm nga policia, por as nga qasjet tjera të burimeve, informacioneve zyrtare nuk kemi për ekzistencën e një organizate të tillë”, tha Hoti.

Rangjel Nojkiq, njohës serb i zhvillimeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se pllakatet me kërcënime, të nënshkruara nga e ashtuquajtura “Armata e veriut” janë fakt. Gjithashtu, sipas tij, në veri ka pasur mjaft incidente ku janë përdorur armë zjarri, janë hedhur bomba dhe mjete tjera shpërthyese, janë djegur vetura dhe pasuri të paluajtshme, si dhe ka pasur kërcënime verbale ndaj individëve të caktuar.

“Por, megjithatë, se a ka të bëjë kjo me ndonjë ushtri të organizuar apo siç e kanë quajtur organizatë paraushtarake, kjo nuk ekziston. Është e mundur që dikush po provon që të dërgojë porosi në këtë mënyrë, se ekziston një organizim i tillë, por unë absolutisht nuk besoj në këtë. Marrë parasysh që nuk ka pasur aksione të caktuara që do të tregonin se ekzistojnë formacione të ndonjë armate në veri. Jam gati se krejtësisht i sigurt se ajo nuk ekziston, përveç që ato janë grupe kriminale, që kanë qenë dhe ekzistojnë edhe sot në veri”, theksoi Nojkiq.

Pas thirrjeve të autoriteteve të Serbisë që pjesëtarët serbë ta braktisin këtë institucion të sigurisë së Kosovë, si dhe pas kërcënimeve përmes pllakateve dhe pamfleteve në vende publike në veri të vendit, shumica e pjesëtarëve serbë e kanë braktisur Forcën e Sigurisë së Kosovës./REL

Rajoni Besim Hoti Rangjel Nojkiq zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës