Aktualitet14 Maj 2022, 13:06

Kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, Apeli i GJKKO lë në burg Alqi Bllakon

Shkruar nga Pamfleti
Kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, Apeli i GJKKO lë

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të mos ndryshojë masën e sigurisë “Arrest me burg” për ish-deputetin socialist, Alqi Bllako.

Vendimi u mor këtë të shtunë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, pasi Bllako kishte kërkuar ndryshim të masës së sigurisë.

Bllako akuzohet se ka përfituar afro 14 milion e 600 mijë lekë pasi ka falsifikuar dokumente për të shpronësuar një tokë për ta kthyer nga një tokë arë në truall në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka e kryetarin e shpronësimeve, Pëllumb Abeshi. Koka ndodhet pas hekurave për këtë çëshjte prej më shumë se dy muajsh.

Bllako u arrestua me kërkesë të SPAK-ut më 1 prill, pasi hoqi dorë nga mandati i deputetit që i jepte mbrojtje ligjore.

Ish-deputeti akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre” gjatë kohës që mbante postin e këshilltarit në Ministrinë e Mjedisit.

SPAK-u e ka akuzuar Alqi Bllakon se, në bashkëpunim me Lefter Kokën dhe zyrtarë vendorë në Fier, kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë ndryshuar destinacionin e pronës ku do të ndërtohej inceneratori.

Sipas Prokurorisë, ish-deputeti Bllako ka favorizuar kompaninë fituese të inceneratorit të Fierit dhe ka marrë si ryshfet shumën prej 14.9 milionë lekësh në formën e pagesave që janë kaluar për llogari të babait të tij, Edmond Bllako.

Disa ditë më parë, kjo Gjykatë theksoi se duhet të vijohet zbatimi i masës arrest me burg edhe për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka.

Ky i fundit dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.

Dënimin me burg do ta vuajnë edhe ish-kryetari i Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi, ish-kryekomunari Azem Shatëri dhe ish-anëtari i Komisionit, Florjan Muçaj. Të tre shtetasit akuzohen për veprën penale “shpërdorim detyre”.

Shtetasit, e lënë në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, janë ish-anëtarja  e komisionit, Sabina Cenameri, me akuzën e  “shpërdorimit të detyrës”.

Kujtojmë që SPAK ka lëshuar 10 urdhër arreste për hetimin që lidhet me inceneratorin e Fierit, ku tetë ishin masa sigurie “arrest me burg” dhe dy në “arrest shtëpie”.

Aktualitet #AlqiBllako #GJKKO nuk ndryshon masën e sigurisë