Aktualitet14 Maj 2022, 11:20

Kërkon lirimin nga burgu, GJKKO vendos sot për Alqi Bllakon pas arrestimit për skandalin me inceneratorët

Shkruar nga Pamfleti

Apeli i GJKKO do të shqyrtojë sot kërkesën e ish-deputetit të PS Alqi Bllako për lirimin nga burgu, me argumentin se nuk ka prova për arrestimin e tij.

Ish-deputeti pretendon se nuk ka prova, për fajësinë e tij, sakaq argumenton se nuk është i rrezikshëm dhe s’i shmanget hetimit. Seanca ka nisur rreth orës 10:00 dhe ende nuk ka detaje të reja.

Bllako është lënë në qeli pasi dyshohet se ka përfituar rreth 14 milionë lekë për shkelje në procedurën e dhënies së koncesionit për ndërtimin e inceneratorit të Fierit.

Ish-deputeti socialist akuzohet  për shpërdorim detyre dhe korrupsion.Nga hetimet ka rezultuar se Bllako në kohën që mbante postin e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, në bashkëpunim me ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-kryetarin e Komisionit të Shpronësimit Pëllumb Abeshi, kanë falsifikuar dokumentin në  lidhje me sipërfaqen e tokës ku u ndërtua inceneratori duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej 16 milionë lekësh.

Po kështu Bllako dyshohet se ka favorizuar biznesmenin Klodian Zoto për ndërtimin e inceneratorit dhe në këmbim ka përfituar një shumë prej 14 milionë lekësh. Bllako është zyrtari i dytë i lartë që arrestohet për këtë aferë, pas ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.

Aktualitet #AlqiBllako #SPAK #Lirim #Inceneratorët