Politike22 Nëntor 2022, 13:58

“KESH bleu energji kur priteshin reshje, po e shet me çmim të ulët”, Meta: Qeveria të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore!

Shkruar nga Pamfleti
“KESH bleu energji kur priteshin reshje, po e shet me çmim të

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh për mediat se Shkodra u përmbyt pasi hidrovoret nuk ishin në punë pasi mungonte energjia elektrike.

Meta tha se qeveria duhet të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyre dhe të dëmshpërbleje qytetarët, pasi kjo fatkeqësi është shkaktuar nga keqmenaxhimi i kaskadave.

Ndërkohë ai theksoi se nga ana tjetër KESH ka blerë energji ndërkohë që priteshin reshje, ndërsa tashmë e shet atë më çmim shumë më të ulët sesa në bursë.

“Përmbytja ishte ngjarje e paralajmëruar. Tashmë 1685 ha në bashkinë e Shkodrës të përmbytura, qindra e mijëra shtëpi të rrethuara nga uji, shumë familje të bllokuara, ndërkohë që bashkia e Shkodrës dhe autoritetet vendore nuk u lajmëruan sipas ligjit. Në Shkodër Hidrovoret s’kanë qenë në punë për mungesë të energjisë. Në Lezhë 1300 ha të përmbytura. Kjo situatë kritike është dhe në fushë-Krujë, 150 Ha në Mullqinë dhe Mallkuç. Natyrisht nuk mund të ngelej jashtë përmbytjeve dhe Durrësi, me zonën e ish-Kënetës dhe qendra e betonizuar e këtij qyteti, te Veliera. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe kur fondi vjetor i Bordit të Kullimit për Shkodrën, Kukësin dhe Lezhën është 80 mln euro në vit. Është aq sa vjedh vetëm për një ditë inceneratori i Tiranës, që nuk ekziston. Dëmet llogariten në qindra mln euro.

Kjo situatë tregon se qeveria ka qenë inekzistente dhe veprimet tepër të vonuara, pasi situata kishte dalë nga kontrolli. Më e rënda është se KESH e bleu energjinë më shtrenjtë kur dihej se do kishte reshje dhe e shet shumë më lirë se në bursë në këto momente. Dështoi projekti i satelitit që u paguan 1.5 mln euro për të parashikuar me saktësi motin. Është e qartë se kjo situatë rrezikon të përkeqësohet me masat e improvizuara, reshje të tjera priten dhe është e domosdoshme shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, duhet të shpallet menjëherë, pasi kemi të bëjmë me një fatkeqësi natyrore të shkaktuar nga keqmenaxhimi i kaskadave nga shteti, i cili duhet të dëmshpërblejë qytetarët”, tha Meta.

Politike Meta reshjet e shiut