Politike17 Tetor 2022, 15:58

Këshilli i Integrimit/ Tabaku: Shqipëria s’ka vullnet politik për reformat, amnistia fiskale dhe ‘pasaportat e arta’ rrezikojnë financimin e terrorizmit!

Shkruar nga Pamfleti
Këshilli i Integrimit/ Tabaku: Shqipëria s’ka vullnet politik

Mazhoranca dhe opozita kanë prezantuar sot në Këshillin Kombëtar të Integrimit progres raportin e BE-së lidhur me integrimin e vendit. Gjatë fjalës së mbajtur, deputetja e PD-së dhe njëherazi bashkëkryetarja e këtij Këshilli, Jorida Tabaku, deklaroi Shqipëria nuk ka pasur asnjë përparim.

Sipas Tabakut, një proces si integrimi evropian nuk mund të shkojë përpara, nëse të gjithë institucionet e vendit nuk janë në unison për drejtimin, ritmin, energjinë dhe frymën që duhet të ndjekim. Për deputeten, korrupsioni është shkaku kryesor i largimit të shqiptarëve.

Shqipëria kandidatja e përjetshme për anëtarësim në BE. Pak ditë më parë u publikua strategjia e zgjerimit dhe raporti për Shqipërinë, që çdo vit na tregon se ku jemi! Në fakt shumë nga ne në këtë sallë e jashtë kësaj salle e dimë shumë mirë gjendjen tonë. Kandidatja e përjetshme për anëtarësim në BE! Gjatë gjithë kësaj kohe në opozitë kam kërkuar përherë e më shpesh që të punohet për konferencën e parë ndërqeveritare, e të punohej pavarësisht një date.

Ky është raporti i parë që dorëzohet ndërsa Europa është e përfshirë nga një luftë e padëshiruar por e detyruar. Një ngjarje e veçantë që ka ndryshuar, për mirë deri më tani, qasjen e BE-së ndaj parimeve të saj dhe në veçanti ndaj rajonit tonë, duket se Evropa po e gjen forcën së brendshmi. Por, megjithëse shumëçka duket se ka ndryshuar nga disa vende skeptike në raport me ne, shumëpak ka ndryshuar nga Shqipëria në raport me detyrimet karshi vetes sonë dhe padyshim BE-së.

Një proces nuk mund të shkojë përpara, nëse të gjithë institucionet e vendit nuk janë në unison për drejtimin, ritmin, energjinë dhe frymën që duhet të ndjekim. Tanimë që konferenca e parë është çelur, besoj është edhe më e qartë për këtë mazhorancë dhe qeverinë se ky është një proces merite që ka brenda tij së paku dy aktorë kryesorë.  Për rrjedhojë, ky raport duhet të jetë një dokument pune.

Në këto kushte kur Europa është shumë e hapur për të mikëpritur Shqipërinë, duket shumë e pandershme që ne të mos jemi aty ku duhet. Dhe me shqetësim konstatova se vlerësimi për grupin e parë të kapitujve është i njëjtë me atë të një viti më parë, asnjë ndryshim në fakt pasi për dy vite me radhë ka qenë i tillë.

Atëherë kur duhet që çdo gjë ta vëmë në funksion të këtij procesi, ne nuk duket se ja kemi arritur. Për mua është shqetësues fakti se qeveria shqiptare nuk e ka treguar ende vullnetin politik të nevojshëm për reforma”, u shpreh Tabaku, duke theksuar se mbetet “shqetësuese fakti se qeveria shqiptare nuk e ka treguar ende vullnetin politik të nevojshëm për reforma”.

Tabaku ka shprehur edhe njëherë shqetësimin për dy nismat e qeverisë, Amnistia Fiskale dhe Pasaportat e Arta, të cilat rezultojnë në vijën e kuqe edhe për BE-në. Sipas demokrates, krimi i organizuar – i cili po eksportohet nga rajoni, në vendet e BE e deri në Amerikën latine – vazhdon të mbetet një problem për Shqipërinë, pasi po depërton në jetën ekonomike e financiare të vendit.

Demokratja i ka bërë thirrje qeverisë të heq dorë nga skema e nënshtetësisë së investitorëve (pasaportat e arta), pasi do të përbënte rrezik për sa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit nga krimi i organizuar, çka është e papajtueshme me të drejtat dhe detyrimet e përbashkëta që iu bindën të gjithë.

“Dua të përshëndes marrëveshjen me Europol në këtë drejtim (kërkesë e konferencës të parë), por kjo nuk është e mjaftueshme.

Fatkeqësisht përpos problematikës së korrupsionit, krimit të organizuar dhe emigracionit (azilkërkuesve) ka dy probleme të tjera që janë vija e kuqe e BE-së. Së pari Amnistia Fiskale dhe së dyti Pasaportat e Arta. Sa i përket shtetësisë, Shqipëria duhet të përmbahet nga zhvillimi i një skeme të nënshtetësisë së investitorëve (pasaporta të arta) pasi do të përbënte rrezik për sa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit nga krimi i organizuar dhe do të ishte i papajtueshëm me acquis e BE-së (trupi i të drejtave dhe detyrimeve të përbashkëta, që duhet të zbatohen nga të gjitha vendet e BE-së) shprehet KE. Raporti shprehet se miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval, mund të rrezikojë përparimin në këtë fushë, si dhe në luftën kundër pastrimit të parave”, tha Tabaku.

Politike tabaku