Politike17 Qershor 2022, 13:12

Këshilli i Sigurimit, Xhaçka: Siguria evropiane është kërcënuar, duhet të jemi më të bashkuar

Shkruar nga Pamfleti
Këshilli i Sigurimit, Xhaçka: Siguria evropiane është

Në takimin e radhës të Këshillit të Sigurimit, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka nisur fjalimin duke falënderuar Përfaqësuesin e Lartë Borrel, për prespektivën e bashkëpunimit ndërmjet OKB-së dhe Bashkimit Europian.

Ajo ka vendosur theksin tek rëndësia e bashkëpunimit, si një nga pikat kryesore për vazhdimësinë e respektimit të ligjit ndërkombëtar.

Do dëshiroja të falënderoja Përfaqësuesin e Lartë Borrelli për perspektivën e detajuar të bashkëpunimit ndërmjet OKB-së dhe Bashkimit Evropian. Pjesëmarrja juaj në këtë takim, edhe pse online, është një dëshmi e rëndësisë së kësaj çështjeje. Bashkëpunimi ndërmjet OKB-së dhe BE-së, bazuar në Kartën e OKB-së është zhvilluar në mënyrë domethënëse përgjatë viteve. Ai është forcuar dhe është zgjeruar. Ky bashkëpunim forcon multilateralizmin e bazuar tek rregullat, në themel të të cilit është respektimi i ligjit ndërkombëtar, mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut”, është shprehur ministrja.

Ajo vuri theksin tek rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë mes OKB-së dhe BE, duke e cilësuar si thelbësor për përballimin e krizës në sigurinë ndërkombëtare. Ministrja gjithashtu deklaroi se këtë vit, Siguria Evropiane është kërcënuar dhe rregulli ndërkombëtar i bazuar në ligje është sfiduar seriozisht nga agresioni ushtarak i Rusisë ndaj fqinjit të saj, Ukrainës.

Ne besojmë fort, se krizat me të cilat bota po përballet bëjnë thirrje për më shumë multilateralizëm, për më shumë veprime të unifikuara dhe të koordinuara, duke përfshirë mbi të gjitha Këshillin e Sigurimit, Asamblenë e Përgjithshme dhe gjithë sistemin e OKB-së. BE është kontribuesi financiar më i madh, prandaj, ajo duhet të ndikojë dhe të projektojë veprimet e saj lidhur me çështjet humanitare, zhvillimore dhe zgjidhjen e konflikteve në mbarë botën. Fatkeqësisht, më duhet të them se kjo mbetet një fakt dhe një nevojë edhe më e domosdoshme ditët e sotme. Këtë vit, Siguria Evropiane është kërcënuar dhe rregulli ndërkombëtar i bazuar në ligje është sfiduar seriozisht nga agresioni ushtarak i Rusisë ndaj fqinjit të saj, Ukrainës. Lufta e paarsyetuar dhe e pajustifikuar ka hyrë në muajin e saj të katërt, si dhe pasojat e saj nuk po ndihen vetëm në Ukrainë me mijëra jetë të humbura, me një masë të konsiderueshme të shkatërrimit të infrastrukturës civile dhe miliona refugjatëve”, deklaroi Xhaçka.

Kryediplomatja është shprehur se Shqipëria është gati për të mbajtur Konferencën e parë Ndërqeveritare, duke u shprehur se tashme Shqipëria tashmë e ka bërë pjesën e saj dhe është e gatshme për kapitullin e ardhshëm, e gatshme për të investuar në stabilitet, siguri dhe një të ardhmje të sigurt. Po ashtu, Xhaçka nuk ka lënë pa theksuar edhe rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke u shprehur që, sa më shpejt të mbyllet ky kapitull, aq më mirë do të jetë për të gjitha palët.

Po ashtu, ne presim që Bashkimi Evropian të përshpejtojë përpjekjet e tij në lehtësimin e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili duhet të çojë në njohje reciproke. Është koha për të parë rezultate konkrete dhe arritje të qëndrueshme. Sa më shpejt që të mbyllet ky kapitull me një marrëveshje, aq më mirë do të jetë për të gjithë, pavarësisht përkatësisë etnike apo ideologjike. Bashkimi Evropian e ka dëshmuar prej kohësh dividentin e saj të paqes për 550 milionë qytetarët e tij. Ne e vlerësojmë dhe e dëshirojmë këtë shtrirje dhe në Ballkanin Perëndimor”, është shprehur ministrja.

Xhaçka e ka mbyllur fjalimin, duke theksuar që aksioni shumëpalësh është i nevojshëm në të gjitha fushat dhe se Shqipëria e mbështet plotësisht.

Më lejoni të përfundoj, duke thënë se në gjykimin tonë, ashtu si ne në Evropë, OKB-ja dhe nëpërmjet saj bota, ka nevojë për më shumë nga BE-ja, nga aksioni i saj shumëplanësh në të gjitha fushat e rëndësishme. Kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi të shtuar dhe të forcuar ndërmjet OKB-së dhe BE-së, të cilin Shqipëria e mbështet plotësisht”, ka deklaruar ministrja në mbyllje.

Politike BE Keshilli i Sigurimit Olta Xhaçka