Bota 9 Tetor 2022, 11:55

Kievi mohon sulmet në urën e Krimesë, Rusia fajëson SHBA-në

Shkruar nga Pamfleti
Kievi mohon sulmet në urën e Krimesë, Rusia fajëson

Ukraina ka mohuar lajmet se është ajo që fshihet pas sulmit të një dite më parë të urës së Krimesë.

Kështu shkruajnë mediat ndërkombëtare duke cituar këshilltarin e presidentit Zelensky, Mykhailo Podolyak.

“Shpërthimi në të ashtuquajturën urën e Putinit, sipas mendimit tonë është një operacionin i brendshëm i shërbimeve sekrete ruse”, sqaroi Podolyak, duke shtuar se “të gjitha operacionet, si vrasja e vajzës së Dugin, shpërthimet në gazsjellësit e Nord Stream dhe shpërthimi në urën Kerch mbajnë firmën ruse”, tha ai.

Ndërkohë Rusisë nuk i del e keqja me Shtetet e Bashkuara të cilat sipas autoriteteve në Kremlin vijojnë të furnizojnë me armë të rënda, të dhëna sekrete nga satelitët apo dhe këshilla për të vijuar aktet e dhunës ushtrinë ukrainase.

“Të gjitha këto e përfshijnë në konflikt. Shumë ekspertë perëndimore vlerësojnë se SHBA po zhvillojnë një ‘luftë me prokurë’ me Rusinë në Ukrainë”, u shpreh ministri i Jashtëm rus, Alexei Polishchuk në një intervistë për TASS.

Nga ana tjetër, në luftimet në front raportohen 17 viktima të tjera në rajonin e Zaporizhzhia, si pasojë e bombardimeve të avionëve rusë gjatë natës. Sipas të dhënave paraprake 5 shtëpi private u shkatërruan totalisht nga raketat ndërsa 40 të tjera u dëmtuan.

Situata paraqitet e rënduar dhe për shumë banorë të tjerë në rajone të tjera të Ukrainës. Ekspertët vlerësojnë se tashmë të paktën 700 mijë persona nuk furnizohen me energji elektrike, pjesa më e madhe e të cilëve në Donetsk, Kharkiv, Luhansk e Mykolaiv.

Ndërkohë që 625 mijë të tjerë nuk ka akses në gazin e lëngshëm.

Bota #Kievi mohon sulmet në urën e Krimesë Rusia fajëson SHBA