Aktualitet30 Tetor 2022, 15:39

Kiko demaskon spiunin çek

Shkruar nga Pamfleti
Kiko demaskon spiunin çek

TOP 500 shqiptarët heronj të 2022!

Në përfundim të inventarit Kiko la porosi për grupin hetimor që të shohë çfarë lidhje ka mes agjentëve rusë dhe ukrainas në Gramsh, çekëve në Malin e Dajtit, Kinezëve në Fier dhe polakëve në repartin N. Në kushtet e reja gjeopolitike nuk duhet të mendoni vetëm për Traktatin e Varshavës. Dyshoj se këto lëvizje kanë lidhje me primaret që po zhvillon opozita dhe zgjedhjet e ardhshme lokale.

Shkruan Lutfi Dervishi 

Lajmi se një turist çek u kap në perimetrin e repartit ushtarak 6640, që shërben dhe si agjencia e sistemeve të ndërlidhjes dhe informacionit të forcave të armatosura, e bëri Kikon me dhimbje koke.

Pas kapjes së agjentëve kinezëve në Fier, rusëve në Gramsh, zbarkimi me parashutë i një qytetari çek, pas arrestimit të katër çekëve në Poliçan për spiunazh, e bëri Kikon të mendoj se ky vend bart shumë sekrete dhe se hakerat iranianë megjithëse kanë marrë çfarë kanë dashur kanë lënë punë edhe për agjentët e tjerë.

Si fillim Kiko mori në analizë komunikatën zyrtare të cilën vendosi ta lexoj mes rreshtash.

“Ai fluturoi me një parashutë mbi repartin ushtarak 6640 duke alarmuar stafin e qendrës së ndërlidhjes në Tiranë, në zonën e njohur si “Rrapi i Treshit”.

Desanti ajror çek u ul thuajse në brendësi të infrastrukturës ushtarake dhe më pas u ndalua edhe nga policia që mbërriti me urgjencë në vendngjarje.”

Reparti 6640? Mesa di unë Shqipëria ka vetëm 10 mijë pjesëtarë në Forcat e Armatosura, si i bie kështu ka 1.5 ushtarë për repart?

Ndërsa bënte këto llogaritje dhe pwrpiqej të kuptonte çfarë do të thoshte “Rrapi i Treshit”, dhe “pothuajse në brendësi” ndërmend i erdhi kënga shumë e njohur:

“Po pyet bota për Shqipninë

Sa të madhe e ka ushtrinë”

Kiko dha porosi që hetimi të nisë nga kryqëzimi i fotove në aparatin e të ashtuquajturit turist çek me listën e inventarit të repartit 6640.

Lista e repartit 6640:

-Parrulla në murin e depos së armatimit “Çdo ushtar, qytetar dhe çdo qytetar, ushtar”

– Parrulla në kodrën përbri: “ç’thotë Partia bën populli, çfarë do populli bën partia”

-Parulla te fasada e Komandës: “Ushtria jonë përballon një sulm simultan të NATO-s dhe Traktatit të Varshavës”

-Një kamion Tatra me targa UP(Ushtria Popullore).

-Një kamion ZIL në tako. Pa rrota dhe pa motor.

-Një Aro rumune me antenë 2 metra e 75 cm.

-75 gaveta të prodhimit sovjetik dhe 23 gaveta të prodhimit kinez.

-Draftin e autokritikës së Niko Peleshit për tezat blu në ushtri.

-Draftin e fjalës së KM për pastrimin me fshesë të hekurt të veprimtarise antinato të spiunëve, hijenave dhe non gratave.

-Një motorr në graso të një avioni Mig 19.

-Konserva sardelesh të kombinatit Ernest Telman, Vlorë.

-7 buste allçie të komandantit të përgjithshëm gjen. kol. Enver Hoxha.

-121 tabela qitje me posterin e Hrushovit, Titos dhe Niksonit.

-1 mijë stanokë me pishë nga pyjet e Lajthizës, Pukë.

-17 libra “Ushtari i mirë Shvejk”

-109 audiokaseta me këngë të Ansamblit të ushtrisë

-56 videokaseta të Estradës së Ushtarit.

-3 skaldobanja me vajguri.

-5 wc fushore kompensate pa dyer të stilit alpin.

-Një mozaik me yll të kuq, cepi i pestë i hequr për t’u dukur si yll katërcepësh i Natos.

Në përfundim të inventarit Kiko la porosi për grupin hetimor që të shohë çfarë lidhje ka mes agjentëve rusë dhe ukrainas në Gramsh, çekëve në Malin e Dajtit, Kinezëve në Fier dhe polakëve në repartin N. Në kushtet e reja gjeopolitike nuk duhet të mendoni vetëm për Traktatin e Varshavës. Dyshoj se këto lëvizje kanë lidhje me primaret që po zhvillon opozita dhe zgjedhjet e ardhshme lokale.

Gjithashtu Kiko evidentoi faktin se Forcat Vullnetare në Tufinë nuk kanë qenë në lartësinë e detyrës, por në gjumë.

Si ndëshkim Kiko i rekomandoi hetuesve që çeku i kapur në perimetrin e repartit 6640 të rilexojë Shvejkun.

Jarosllav Hasheku, autori i Shvjekut, ishte dhe do të mbetet diletant përballë gallatës këtu- përfundoi shënimet e tij Kiko Majmuni.

Forum Lutfi Dervishi Spiune