
Kinezi i 147 milionë dollarëve mbetet në ‘arrest shtëpie’, Prokuroria tërhiqet nga apeli
Kreu i grupit kriminal kinez Liangbin Chen, i arrestuar në Tiranë, pasi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar se kishte përfituar rreth 147 mln dollarë nëpërmjet mashtrimit kompjuterik në Kinë, do të mbetet në arrest shtëpie. Prokuroria ka tërhequr ankimin në Apel, i cili ka konfirmuar kështu masën e marrë në shkallë të parë.
Disa ditë më parë, me argumentin se për shkak të gjendjes së tij shëndetësore i rrezikohet jeta në qeli, Gjykata i ka lehtësuar masën Liangbin Chen. Në raport thuhej se gjendja e tij shëndetësore nuk mund të kurohet në qeli nga mjekësia ligjore. Ndërkaq, autoritetet kineze kanë përcjellë dosjen në Interpol Tirana, duke kërkuar ekstradimin e tij.
32-vjeçari Liangbin Chen u arrestua më 21 korrik në aeroportin e Rinasit. Ai kishte ardhur nga Dubai për t’u strehuar në arrati në vendin tonë.
Kinezi akuzohet si kreu i bandës e cila ka patur selinë në qytetin Huzhou në Kinë dhe që ka kryer mashtrime në platformat online për ambiente me qira, shitje kompjuterash dhe telefonash në Dubai, Kinë dhe Emiratete Bashkuara Arabe.
Në Shqipëri, gjykata ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest shtëpie” derisa autoritet kineze të sjellin dosjen e ekstradimit ku janë ngritur akuza për mashtrim kompjuterik me pasoja të rënda që kapin vlerën deri në 1 miliard yen kinez ose 147 mln dollarë.