Aktualitet12 Gusht 2022, 14:27

Kleçka e dosjeve të reja të Ilir Metës që u depozituan në SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Kleçka e dosjeve të reja të Ilir Metës që u

Kleçka e dosjeve të reja të Ilir Metës që u depozituan në SPAK

Në bashkëpunim edhe me Departamentin Amerikan të Drejtësisë, qartësisht mund të verifikohen lëvizjet e parave…

Prej ditësh mediat po publikojnë pjesë të dosjeve që ish-deputeti Halit Valteri ka depozituar në SPAK për Ilir Metën dhe familjen e tij.

Nga ajo që është bërë publike deri tani, vihet re, se bëhet fjalë për të dhëna mjaft të qarta dhe të lehta për t’u hetuar, apo më mirë të thuhet për tu rakorduar nëse janë ashtu siç thotë denoncimi, apo jo.

Dosja e pare, e ashtuquajtura dosja e kolaudimeve, ku është i përfshirë vëllai i Monika Kryemadhit Drini, paraqet dy fakte të thjeshta.

Kryemadhi është paguar me shifra marramendëse nga kompania që ka pasur koncensionin e kolaudimeve, në kohën që LSI ka pasë drejtimin e ministrisë së Transporteve.

Në dosje, dyshohet se paratë e marra nga Kryemadhi, janë zhvendosur më pas dhe nga llogari të tjera është financuar LSI-ja.

Prokuroria Speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit mund të hetojë shpejt, dhe vetëm me pak veprime mund të zbulojë nëse kemi të bëjmë me një vepër penale, siç pretendon denoncuesi.

Kjo, duke pyetur dy ministrat e LSI-së: Edmond Haxhinasto e Sokol Dervishi, por edhe vetë Drini Kryemadhin, e personat që kanë kaluar paratë në arkën e LSI-së, si dhe duke ndjekur gjurmët bankare.

Nëse del që të dhënat janë ashtu siç pretendon dosja e Halit Valterit, atëherë kemi të bëjmë me një rast klasik rryshfeti. Një financim të paligjshëm të partive politike, evazion fiskal, fshehje të pasurisë dhe korrupsion pasiv nëpërmjet rryshfetit. Si rregull, meqë dosja tashmë është depozituar, Kodi i Procedurës penale ka afate të qarta të regjistrimit dhe kryerjes së hetimeve. SPAK ose duhet ta mbyllë, ose duhet ta çojë hetimin deri në fund.

Vetë Arben Kraja ka deklaruar se SPAK punon kryesisht me kallëzime, e ky është një rast klasik.

Ndërkaq, për rastin e transfertave të parave në Londër, ku Valteri kërkon që të verifikohet se si Elona Guri, një zyrtare e LSI-së ka udhëtuar aq shumë në Londër, kur pasuria nuk ja lejon, hetimi është më i komplikuar. Pasi Guri nuk është zyrtare që e ka të detyruar deklarimin e pasurisë në ILKDPKI. Por edhe këtu SPAK mund të ndjekë rrugët e parasë, nëse ka indicie, siç thuhet në dosje.

Por Guri është një person që ka firmosur për LSI-në për dokumentet e lobimit, në kompanitë amerikane dhe ka depozituar paratë në rrugë bankare në shoqëri offshore.

E këtu, në bashkëpunim edhe me Departamentin Amerikan të Drejtësisë, qartësisht mund të verifikohen lëvizjet e parave.

Natyrisht këto nuk janë pjesë e atij zullumi që njerëzit presin të hetohen siç janë pasuria e vënë në mënyrë të paligjshme nga ana e Metës dhe familjes së tij. Por janë pikërisht ato kleçka klasike që një prokurori ka mundësi t’i hetojë lehtësisht. Madje ka një precedent botëror dhe vendime gjykatash që mund të shërbejnë për këtë rast, ngaqë jemi fiks në kontekstin e hetimeve të rrushfeteve ndaj partive që Prokuroria e Milanos zhvilloi në vitin 1992, e që zbardhën me vendime gjykatash. Ishte ky hetim që çoi në rrëzimin e elitës së vjetër politike 40 vjeçare të Italisë, e natyrisht që nuk zbuloi të gjithë korrupsionin e madh, por hapi petët e lakrorit për të ndëshkuar abuzuesit që ishin ngjitur e nuk shqiteshin nga kolltukët e pushtetit./Pamfleti

Kryesore #Kleçka e dosjeve të reja të Ilir Metës që u depozituan në SPAK