Aktualitet18 Tetor 2022, 19:11

KLGJ këmbëngul t’i mbajë sekret seancat për kualifikimin e magjistratëve

Shkruar nga Pamfleti
KLGJ këmbëngul t’i mbajë sekret seancat për

KLGJ këmbëngul t’i mbajë sekret seancat për kualifikimin e magjistratëve

Këshilli i Lartë Gjyqësor vijon praktikën e zhvillimin të seancave me dyer të mbyllura për promovimin apo kualifikimin e magjistratëve nën justifikimin se po mbron të dhënat personale dhe konfidenciale të tyre.

Më 12 tetor, Këshilli i Lartë Gjyqësor i mbylli sërish dyert e seancës plenare për të diskutuar mbi skualifikimin e një kandidati për një vend në Shkollën e Magjistraturës, duke pretenduar se e bën për të ruajtur sekretin dhe të dhënat sensitive.

Mbajtja sekret e seancave për promovimin apo skualifikimin e magjistratëve është kthyer tashmë në një praktikë të zakonshme të KLGJ-së, pavarësisht detyrimit ligjor për të mbajtur mbledhje të hapura plenare dhe për të garantuar transparencën.

KLGJ pretendoi në një përgjigje me shkrim për BIRN se praktika e saj e dyerve të mbyllura për promovimin apo kualifikimin e magjistratëve bazohet në ligjin “për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe ligjin për “statusin e gjyqtarëve e prokurorëve”.

Në kushtet kur dokumentacioni apo raportet që përcjellin këto institucione përmbajnë të dhëna personale, konfidenciale, apo në raste të veçanta, të dhëna të klasifikuara, Këshilli, në zbatim dhe respektim të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, ka vendosur që mbledhjet e Këshillit në të cilat diskutohet rreth përmbajtjes së tyre, të zhvillohen me dyer të mbyllura”– tha KLGJ.

Këshilli shtoi gjithashtu se “sipas së njëjtës logjikë juridike”, nuk ka detyrimin të publikojë as audiot dhe as procesverbalet e këtyre mbledhjeve, ndërsa shtoi se e përmbushte detyrimin për transparencë përmes publikimit të vendimeve të anonimizuara.

“Pra, në këtë mënyrë, e drejta e transparencës dhe e informimit të publikut nuk cenohet, ndërkohë që njëkohësisht mbrohet e drejta e të dhënave personale, të personave që janë subjekte të vendimeve,” thuhet në përgjigje.

E paditur më parë nga BIRN në Gjykatën Administrative për refuzimin e vënies në dispozicion të procesverbaleve të një mbledhje të ngjashme për shqyrtimin e kandidaturës së Darjel Sinës, KLGJ nuk i mbrojti të njëjtat argumente në gjykatë.

Pasi u njoh me kërkesë-padinë, KLGJ vuri në dispozicion procesverbalet e plota të rastit të Sinës.

Në seancën paraprake në të cilën u vendos pushimi i çështjes, përfaqësuesi i KLGJ-së la të kuptohej se institucioni nuk kishte pasur arsye ligjore për kufizimin e këtyre materialeve dhe pohoi vënien e tyre në dispozicion.

Megjithatë, larg përballjes nga gjykata, KLGJ vazhdon t’i cilësojë si të dhëna sensitive ato të personave që garojnë me vullnet të lirë për të qenë gjykatës, edhe në kundërshtim me legjislacionin kërkon që të dhënat e këtyre kandidatëve të pasurisë dhe figurës duhet të jenë publike, për të garantuar integritetin në zgjedhjen e tyre./ Birn

Aktualitet KLGJ