Anti-Mafia24 Nëntor 2022, 15:34

KLSH “nxin” inceneratorin e Tiranës: Qeveria dhe bashkia valë shkeljesh, u dyfishua kostoja e pastrimit

Shkruar nga Pamfleti

Mungesa e dakordësisë me shkrim e bashkive të tjera të Qarkut Tiranë përveç Bashkisë Tiranë, provokon në të ardhmen kosto financiare për këto bashki, mos përfshirja e të cilave mbi këtë argument do të sjellë mungesë efektiviteti për realizimin e projektit të Incineratorit të Tiranës.

Nuk kanë fund aferat me inceneratorët. Përveç SPAK që ka gjetur pa fund shkelje me inceneratorin e Fierit dhe me atë të Elbasanit, në lojë ka hyrë edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Një ditë më parë KLSH publikoi buletinin e auditimve për periudhën janar-shtator 2022 dhe në skaner ka qenë dhe Ministri e Mjedisit, me fokus inceneratori i Tiranës.

Sipas KLSH, drejtimet dhe politikat e Ministrisë së Mjedisit (sot MTM) në lidhje me reduktimin e mbetjeve kanë qenë të pa fokusuara dhe jo në linjë me objektivat strategjike kombëtare dhe evropiane. “Procedura e planifikimit të projektit të Incineratorit të Tiranës ka mungesa dhe paqartësi në lidhje me propozimin paraprak të ardhur në ministri nga shoqëria dhe konfirmimin e miratimit paraprak nga ana e Ministrisë së Financave”, shprehet KLSH.

Më tej specifikohet se mungesa e vendimmarrjes së MFE, në cilësinë e vlerësuesit dhe miratuesit paraprakisht të gjithë projektit koncesionar dhe PPP, nga pikëpamja e implikimeve financiare për inceneratorin e Tiranës, ngre pikëpyetje mbi kostot dhe përballueshmërinë financiare.

Mungesa e përgjigjeve zyrtare dhe dakordësisë së institucioneve qendrore, fushë veprimtaria e së cilave lidhet ngushtësisht me objektin e projektit koncesionar, ka devijuar procesin e rregullt të këtij angazhimi duke sjellë mungesë eficience dhe identifikim të risqeve potenciale, konkretisht ai fiskal dhe financiar lidhur me kostot e shpronësimeve dhe përballimin e riskut nga çmimi i energjisë elektrike”, thekson KLSH.

Po ashtu bëhet me dije se mungesa e dakordësisë me shkrim e bashkive të tjera të Qarkut Tiranë përveç Bashkisë Tiranë, provokon në të ardhmen kosto financiare për këto bashki, mos përfshirja e të cilave mbi këtë argument do të sjellë mungesë efektiviteti për realizimin e projektit të Incineratorit të Tiranës.

Mos dakordësimi i tarifës prej 29 euro/ton së depozitimit në landfill, ka dyfishuar shpenzimet e Bashkisë Tiranë dhe MIE si transferues i “Transfertës të Pakushtëzuar”, për zërin e pastrimit të qytetit. Aktualisht çmimi i paguar 29 euro/ton nuk është çmimi real i shërbimit që kryhet, pasi kjo tarifë përfshin edhe incinerimin e mbetjeve proces i cili nuk është kryer deri më sot. Procedura konkurruese për dhënien e këtij projekti me koncension nuk është kryer në përputhje me parimet e transparencës dhe përcaktimet ligjore. Janë shkaktuar vonesa të konsiderueshme në afatin e fillimit dhe vijimit të punimeve të projektit, si pasojë e veprimeve dhe mos veprimeve si dhe shmangies nga detyrimet e përcaktuara në kontratë si nga AK ashtu edhe nga Koncensionari”, thuhet në raport. /Pamfleti


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Anti-Mafia incenratori KLSH