Sport11 Tetor 2022, 21:20

Klubet shkodrane regjistrohen si… Laçi dhe Kukësi, çudira në futbollin e femrave

Shkruar nga Pamfleti
Klubet shkodrane regjistrohen si… Laçi dhe Kukësi,

Klubet shkodrane regjistrohen si… Laçi dhe Kukësi, çudira në futbollin e femrave

Kampionati i femrave në këtë sezon ka filluar me disa emra të rinj në garë, pasi nuk gjenden më skuadra që kanë garuar në edicionet e kaluara si Atletik klub Shkodra apo Murlani. Ata në fakt janë në garë, por me emra të ndryshëm.

Gjithçka si pasojë e vendimit të FSHF që ashtu si me futbollin e moshave, ka vendosur të kategorizojë edhe futbollin e femrave duke lënë jashtë skuadra të cilat kishin luajtur rregullisht në këtë aktivitet.

Disa ekipe e kanë gjetur zgjidhjen, duke u regjistruar si përfaqësues të klubeve të Superiores që sipas FSHF gëzojnë të drejtën të marrin pjesë në elitë edhe nëse nuk kanë qenë më parë pjesë e saj. Kështu, Atletik Klub Shkodra, tashmë garon nën emrin e KFF Laçi, ndërsa Murlani tani është KFF Kukësi.

Gjithçka është konfirmuar edhe nga trajneri i KFF Laçit, Elis Legata, duke folur për Shkodra Sport”: “Vërtetë luajtëm me emrin Laçi, por ne jemi Atletik sepse të gjitha vajzat janë shkodrane. Përfaqësojmë Laçin si shkak i vendimeve të Federatës dhe si rrjedhojë vendosëm kështu në mënyrë që vajzat të mos qendronin pa luajtur.

Bashkëpunimi deri më tani me klubin e Laçit është jashtëzakonisht i mirë dhe shpresojmë shumë që ai të vazhdojë për të rritur skuadrën, ndoshta edhe për një ekonomi më të mirë për vajzat. Për momentin, kemi rënë dakord që të luajmë me fanelat e Atletik sepse kështu kanë rënë dakord dy shoqatat bashkë”, tregoi Legata.

Një “makijazh” i çuditshëm për të mbuluar vendimet e FSHF-së, e cila në këtë edicion ka vendosur që të mos pyesë aktorët e garës duke ndryshuar sipas dëshirës së saj kampionatet e futbollit amator.

Sport kampionati i femrave Laçi Vllaznia