Aktualitet26 Shkurt 2022, 13:43

“Koalicioni anti-luftë duhet të reagojë”, Presidenti i Ukrainës falenderon Shqipërinë: Veto e Rusisë, njollë

Shkruar nga Pamfleti

Foto Ilustruese

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka falenderuar të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit në OKB për projekt-rezolutën që dënonte pushtimin e vendit nga Rusia.

Përmes një mesazhi në Tëitter, Zelensky ka renditur flamujt e shteteve që dhanë votën “Pro” për dënimin e Rusisë, mes të cilëve ishte edhe Shqipëria.

“Mirënjohës për të gjitha shtetet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që votuan për të ndaluar sulmin e pabesë rus. Veto e Rusisë është një njollë gjaku në pllakën e saj në Këshillin e Sigurimit, hartën e Europës dhe botës. Koalicioni anti-luftë duhet të reagojë menjëherë”, shkruan Zelensky.

Vlen të theksohet se projekt-rezoluta, e cila ashpërsonte qëndrimin e Kombeve të Bashkuara ndaj Rusisë, vinte me propozimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. Pavarësisht kësaj, Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk mundi ta miratojë rezolutën për shkak të vetos ruse. Tashmë, me dështimin e këtij hapi, mbështetësit do të bëjnë thirrje për një votim të shpejtë për një rezolutë të ngjashme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së prej 193 anëtarësh, ku nuk ka veto.

Kujtojmë se, Rusia është një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ndërsa, ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, po shërben aktualisht si president i këshillit të këtij muaji.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Aktualitet projekt-rezoluta e keshillit te sigurimit sulmet ruse ne ukraine Zelensky