Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar ditën e sotme në lidhje me kushin e zgjedhjes së Presidentit të ri, atë të paisjes së 80 votave në Kuvend. Hoti është shprehur se ky kusht bazë i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nuk mund të realizohet pasi koalicioni nuk i ka aq vota.
Kryeministri Hoti, theksoi se për këtë çështje, qeveria duhet të ulet në dialog me partitë opozitare, për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e një presidenti, dhe nëse kjo nuk do të ndodhë atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme pasi palët të jenë dakord për një datë të përshtatshme.
”Është më se e qartë se vendi s’ka president edhe në bazë të Kushtetutës ne duhet ta zgjedhim presidentin e ri, për zgjedhjen e tij duhen së paku 80 vota në Kuvend, të cilat vota sigurisht ky koalicion qeverisës nuk i ka. Që nënkupton nevojën që ne të ulemi me partitë politike parlamentare opozitare për të parë nëse ka dakordim për zgjedhjen e presidentit, të cilën gjë shpresoj se do ta bëjmë së shpejti. Nëse s’ka dakordim të tillë, atëherë sigurisht duhet të dakordohemi për datën e zgjedhjeve, sigurisht një datë e përshtatshme për qytetarët”, ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës theksoi për mediat se këtu ka dy rrugë kushtetuese, që të ndiqen në javët në vijim, për të sjellë emra konkret për një president të ri.
”Këto janë dy rrugë kushtetuese që do të ndiqen në javët dhe në muajt e ardhshëm. Unë besoj se shpejt do të organizohet tryeza e parë e partive ku do të shtrohen këto tema. Edhe unë po angazhohem në këtë drejtim. Nëse ka vullnet për zgjedhje të presidentit, për emra konkret, drejt një emri të përbashkët e nëse s’ka flasim për datë të zgjedhje. Tjetër opsion nuk ka”, është shprehur ai.