Aktualitet25 Gusht 2022, 13:32

Kodet që po shoqërojnë hetimin e Ilir Metës nga SPAK!

Shkruar nga Pamfleti
Kodet që po shoqërojnë hetimin e Ilir Metës nga SPAK!

Kodet që po shoqërojnë hetimin e Ilir Metës nga SPAK!

Tashmë është fakt, që askush nuk mund ta mohojë, se nuk kemi të bëjmë me një instikt të Ilir Metës për të nuhatur se mund ta hetojnë, por për siguri matematike, ngaqë dosjet e abuzimit janë aty…

Ata që përdorin argumentin, se hetimi ndaj Ilir Metës po bëhet thjesht për ta dobësuar atë politikisht, aq më shumë tani që ai ka vendosur që të kandidojë për Bashkinë e Tiranës, ose janë pjesë e enturazhit të njeriut nën hetim, ose i besojnë një përralle krejtësisht naive.
Kushdo që ndjek zhvillimet në këtë vend, e di shumë mirë se Ilir Meta, kur ishte kryetar i Parlamentit, e nisi luftën kundër SHBA për të penguar një reformë në Drejtësi, nën monitorimin amerikano-europian. Një luftë që ka nisur prej vitit 2016 dhe ende nuk ka mbaruar, por merr herë pas here forma të egra, ku shpenzohet para e madhe, shumë e madhe…
E kjo luftë ndaj Reformës në Drejtësi, u bë vetëm që të mos hapen hetimet ndaj Ilir Metës dhe tashmë, zimerit të tij politik, Sali Berisha. Kush e mban mend lojën që shtynë bedelin kryeprokuror Adriatik Llalla, të nxirrte në publik, se SHBA dhe BE i kishin kërkuar që të arrestonte Ilir Metën e Sali Berishën, e di mirë se kemi të bëjmë me një frikë shumë të vjetër të dy njerëzve më të pushtetshëm në vend.
Jo më kot, Ilir Meta pranoi ofertën e Edi Ramës për t’u bërë President i vendit, që të kishte sa më shumë dorë mbi Drejtësinë, për të vonuar nisjen e punës së organeve të reja si KLP e KLGJ, të cilat do të formësonin SPAK dhe BKH-në.
Tashmë është një fakt, që askush nuk mund ta mohojë, se nuk kemi të bëjmë me një instikt apo hundë të Metës, për të nuhatur se mund ta hetojnë, por siguri matematike, ngaqë dosjet e abuzimit janë aty, e kanë nisur që me videon me të ndjerin Dritan Prifti e me dosjen CEZ-DIA.
Meta, siç është shkruar shpesh, presionet apo çmenduritë drejtuar SHBA-së, nuk i ka pasur ndaj Amerikës, por pikërisht për të frikësuar prokurorët dhe hetuesit e SPAK. Për të treguar se ai nuk pyet as për Flotën e Gjashtë Amerikane, e jo më për zyrtarë të Drejtësisë shqiptare. Ky është një kod i qartë, që përdoret rëndom, si nga Meta, ashtu edhe nga Sali Berisha.
Ndërkaq, një kod tjetër që përdoret shpesh nga Ilir Meta dhe Monika, është shantazhi ndaj njerëzve që kanë dijeni për korrupsionin e familjes së tyre dhe i mbajnë nën presion.
Padia ndaj Lefter Kokës, ishte një kod i qartë shantazhi ndaj kujtdo që do të tentonte t’i tradhtonte. Ndërkohë, pak ditë përpara se Ilir Meta të shkrinte LSI-në, Monika Kryemadhi lëshoi një kod ndaj një personi shumë të rëndësishëm për ta, e cila është edhe pjesë e dosjes që është dorëzuar në SPAK nga Halit Valteri. Bëhet fjalë për Elona Gurin, ku mungesa e saj në ambientin e familjes duket se shkaktoi një panik të madh. Ndaj Monika, nga rrjetet sociale i lëshoi një kod: “We miss you”, duke i bërë ‘tag’. Personi i një mijë mistereve dhe sekreteve, duket e futi në tartakut me mungesën e saj disaorëshe. Njerëzit kyç të aferave, Meta i do 24 orë pas vetes, nëse nuk vijnë, atëherë ai e ka të ndarë mendjen se e kanë tradhtuar.
Por, ashtu si Meta po lëshon kode, sa deshifrimi i tyre është bërë sport publik, e material për ata që bëjnë meme humoristike, edhe ata që janë përballë tij nuk janë kursyer, madje i kanë bërë shumë të forta.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim për shembull, në deklaratën e saj si përgjigje ndaj shpërthimit të Metës për SPAK, kishte kode “të kuqe fare”.
Ja deshifrimi i mesazhit të djeshëm: “Kërcënimet për prokurorët dhe gjyqtarët dhe përpjekjet e tjera për të prishur reformën në drejtësi, nuk duhet të pranohen më si ‘normale’.
Qartësisht, ambasadorja ka bërë thirrje që ligji të zbatohet jo me selektivitet dhe ata që kërcënojnë, apo pengojnë Drejtësinë, të cilësohen si “sjellje normale”. Sipas Kodit Penal shqiptar, nëse shantazhon, apo pengon drejtësinë, konsiderohet vepër penale që dënohet mjaft rëndë. Ndaj, pas kësaj deklarate pati një zbythje të Metës dhe suitës së tij në sulmin ndaj SPAK, pasi ju frikësuan shtimit edhe të një akuze në dosjen e hapur ndaj njeriut më të pushtetshëm në vend.
Por fraza tjetër është edhe më e fortë. “Për një kohë të gjatë, të pasurit dhe të fuqishmit kanë besuar se janë të paprekshëm. Tani ata janë të shqetësuar se mosndëshkueshmërisë së tyre mund t’i vijë fundi. Ndërsa reforma në Drejtësi zbatohet dhe jep gjithnjë e më shumë rezultate, do të bëhet më e qartë dhe më e qartë se askush – ASKUSH – nuk është mbi ligjin”. “Të pasurit dhe të fuqishmit” duket se i drejtohet dy njerëzve që sulmojnë vazhdimisht drejtësinë e SHBA-në: Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Kjo frazë, dukshëm, tregon se SHBA e di mirë sa e ka pasurinë Ilir Meta, i cili në dokumentet e klasifikuara diplomatike, konsiderohet si politikani më i pasur në Ballkan. E gjasat janë se për këtë do të vijnë prova nga Amerika, ku SPAK sapo ka dërguar një fletëporosi për Departamentin e Drejtësisë së SHBA.
Pra jemi në një “zjarr” të madh që duket se nuk do të djegë vetëm Ilir Metën, e këtu ka shumë gjasa që të ketë zhvillime të paparashikueshme.
Ndaj dhe ambasadorja Yuri Kim, ka thirrur prokurorët e SPAK në Ambasadë, duke i dhënë pancirin e mbrojtjes nga shteti më i fuqishëm i botës.
“Kënaqësi të mirëprisja Kreun e SPAK Arben Kraja pas vizitës së tij zyrtare në Uashington, e cila forcon akoma më shumë bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shtetet e Bashkuara do të vijojnë të mbështesin fuqimisht punën e SPAK dhe institucioneve të tjera të reformës në drejtësi”, shkruan Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim, duke i krijuar mundësinë prokurorëve që të mos ndjehen të vetmuar në këtë zhvillim të rëndësishëm./Pamfleti

Kryesore Hetimet Ilir Meta kode SPAK Yuri Kim