Aktualitet 2 Maj 2018, 20:15

Kokaina në Spanjë/ “Si funksionon mafia shqiptare, dhe provat e vështira për të fituar besnikërinë”

Shkruar nga Pamfleti
Kokaina në Spanjë/ “Si funksionon mafia shqiptare, dhe provat e

Kokaina në Spanjë/ “Si funksionon mafia shqiptare, dhe provat e vështira për të fituar besnikërinë”

Shkatërrimi një ditë më parë i rrjetit të trafikut të kokainës nga Kolumbia në Spanjë, dhe goditja e mafias shqiptare e cila ishte bërë protagoniste në trafikimin e lëndës narkotike, ka bërë që edhe një herë autoritetet ndërkombëtare të kthejnë vëmendjen nga Shqipëria.

Është radio spanjolle “Caracol” që i ka kushtuar një artikull të veçantë rolit të mafias shqiptare në trafikimin e kokainës në Europë, dhe asaj që është në dijeni Interpol.

Sipas asaj që thuhet në artikull, bazuar në raportin e Interpol, mafia shqiptare ka një rol të rëndësishëm sa i përket trafikut të kokainës nga Kolumbia dhe lidhjeve të saj me kartelet e drogës në Amerikën Latine.

Në këtë rast, shqiptarët shfrytëzojnë Spanjën si portë hyrëse e kokainës në Europë.

“Shumë anëtarë të këtij rrjeti kanë marrë pjesë në luftimet në Ballkan dhe për këtë arsye ata veprojnë me profesionalizëm ushtarak.

Ata njihen për brutalitetin dhe efektivitetin e tyre”, thuhet në raportin e Interpol.

Artikulli shkon më tej kur ndalet në mënyrën se si anëtarët fitojnë respektin e pjesëtarëve të tjerë dhe provat e vështira për besnikërinë.

Sipas kësaj media, anëtarët e këtij rrjeti kriminal janë tepër të rrezikshëm dhe kanë në pronësi disa kompani “security”, të cilat i përdorin për pastrim parash.

“Ky rrjet kriminal që vjen nga vendet e Evropës Lindore karakterizohet nga mënyra e tyre e punës, që njihet për besnikërinë e anëtarëve.

Besnikërinë e tyre ata e menaxhojnë duke kontrolluar familjet e tyre në Shqipëri përmes pagesave ndaj tyre, por edhe duke i marrë peng, dhe në këtë mënyrë ata zgjerojnë lidhjet e tyre dhe shtrijnë tentakulat në të gjithë Evropën.

Personat që i përkasin rrethit të besimit të kësaj organizate, hyjnë vetëm duke dhënë prova për besnikërinë e tyre tek eprorët përgjatë disa viteve”, thuhet në një pjesë të raportit të Interpol të publikuar nga radio spanjolle.

Pas arrestimit të dy shqiptarëve në Spanjë, hetimet janë shtrirë edhe në Shqipëri. Policia e Shtetit po shkëmben informacion me autoritetet spanjolle, Interpolin dhe DEA-n amerikane.

 

Aktualitet Kokainë Shqiptaret Spanjë