Aktualitet20 Maj 2022, 18:35

Kokat e krimit, Manja urdhëron izolimin në regjimin "41 BIS" të 3 të dënuarve

Shkruar nga Pamfleti
Kokat e krimit, Manja urdhëron izolimin në regjimin "41 BIS"

Kokat e krimit, Manja urdhëron izolimin në regjimin "41 BIS" të 3 të dënuarve

Tre të dënuar për krime të rënda, do të transferohen në regjimin e posaçëm të njohur ‘41 BIS’.

Vendimi është marrë ditën e sotme nga Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja i cili ka urdhëruar vendosjen në regjimin e posaçëm për një afat 1-vjeçar të dënuarit; Viktor Ymeri alias Viktor Bajraktari, Klement Çala dhe Eldi Çala. Ky vendim vjen pas një bashkëpunimi dhe bashkëveprimi të ngushtë me agjencitë e zbatimit të ligjit SPAK, DBP, Policia e Shtetit, SHISH, SHKB.

Kujtojmë se Viktor Ymeri qëndron pas hekurave për vrasjen e Vajdin Lamajt, si dhe është dënuar për me 25 vite burg ekzekutimin e Arben Pajës e Ilir Xhungës, më 1999-ën. Vepër penale për të cilën e përfundoi dënimin në dhjetor 2019 duke përfituar ulje. Megjithatë, ai u arrestua sërish një vit më vonë, me urdhër të SPAK, pas rihapjes së dosjes për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut në 2005.

Ndërkohë dy vëllezërit nga Elbasani, Klement dhe Eldi Çala, akuzohen për mega-grabitjen në Rinas. Ata dyshohen si organizatorët kryesorë të grabitjeve të dhjetëra miliona euro. SPAK ka kërkuar 24 vite burg për Klement Çalën dhe 19 vite për vëllain e tij, Eldi Çala.

Regjimi i rreptë në burgjet shqiptare ka nisur të zbatohet që prej mesit të vitit 2020. Masa është përdorur kryesisht ndaj të dënuarve për krime të rënda dhe që janë pjesë e grupeve kriminale. Termi i përdorur ’41-bis’ është nga një ligj i miratuar në Itali dhe njihet ndryshe si ‘regjimi i fortë në burg’.

Aktualitet “41-bis” Eldi Çala Klement Çala manja Viktor Ymeri alias Viktor Bajraktari