Pasi Kolegji Zgjedhor hodhi poshtë ankesën e PD dhe LSI-së për pavlefshmëri zgjedhjesh në qarkun e Gjirokastrës, përfaqësuesit e opozitës janë shprehur se nuk e pranojnë këtë vendim.
Përfaqësuesi i PD Ivi Kaso dhe ai i LSI Altin Kaziaj në seancën e Kolegjit Zgjedhor shprehen se nuk e pranojnë humbjen edhe pasi Kolegji vulosi rezultatin e zgjedhjeve për qarkun e Gjirokastrës. Sipas Kasos, KQZ dhe Kolegji Zgjedhor, refuzuan të jepnin një vendim objektiv dhe transparent.
Kolegj Zgjedhor ka vulosur rezultatin e zgjedhjeve për qarkun e Gjirokastrës duke rrëzuar të gjitha paditë e bëra nga PD, LSI dhe Vetëvendosje, për zgjedhjet e 25 prillit. Kolegji ka rrëzuar kërkesën e PD për marrjen e provave shtesë për qarkun e Gjirokastrës nga institucionet.
Përfaqësuesi i PD Ivi Kaso ngriti para Kolegjit shqetësimin sipas tij për votimin e emigrantëve që u ndaluan të vijnë si pasojë e pandemisë.
REAGIMI:
“Nuk do të heqim dorë nga transparenca nga ky proces elektoral, që ka qenë më e ndikuar nga interesat e mazhorancës, që nuk lejonte shqiptarët të votonin të lirë. Beteja për transparencë është shumëpalnëshe, kemi zhvilluar në planin administrativ, në KAS dhe KQZ, do të bëhet në rrugë penale, mund të zhvillohet në rrafshe të tjera Kushtetuese, sepse shkeljet që ne kemi prekur janë shumëpalëshe.
Çdo veprim i tyre, në mos sot do të vihet përpara shërbimeve ligjzbatuese dhe të gjithë do të japin llogari për procesin e 25 prillit. LSI dhe opozita nuk pranon një vendim të dhënë për këto shkaqe. Nuk ka se si pranon faktin, që lënia e një vendimi kaq të shkurtër të pranohet nga ana jonë. Në këto zgjedhje janë formuluar kaq shumë kërkesa dhe prova se në zgjedhjet e tjera. Anëtarët e KAS e kanë pasur shumë të lehtë për të marrë kërkesat për provë dhe t’i shqyrtonin ato, për të dhënë vendime objektive”, tha Kaso.