Sport 1 Dhjetor 2022, 20:22

Kombëtarja shqiptare U-16 zyrtarizon dy miqësore kundër Malit të Zi, publikohen datat dhe stadiumi

Shkruar nga Pamfleti
Kombëtarja shqiptare U-16 zyrtarizon dy miqësore kundër Malit

Kombëtarja shqiptare U-16 zyrtarizon dy miqësore kundër Malit të Zi, publikohen datat dhe stadiumi

Kombëtarja shqiptare U-16 do të zhvillojë dy ndeshje miqësore kundër përfaqësueses së Malit të Zi U-16. Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata Malazeze e Futbollit kanë arritur marrëveshjen që këto dy sfida të zhvillohen në datat 7 dhe 9 dhjetor. Takimi i parë do të luhet në kompleksin e Federatës Malazeze në Podgoricë, të mërkurën e 7 dhjetorit në ora 13:00 ndërsa miqësorja e dytë do të luhet dy ditë më vonë, më 9 dhjetor në stadiumin ‘Reshit Rusi’ në Shkodër në orën 12:00.

Trajneri Kërçova do të zbardhë të shtunën listën e lojtarëve të grumbulluar për këto dy ndeshje, teksa synimi është vëzhgimi dhe testimi i lojtarëve të vitlindjes 2007, të cilët janë brezi që do të përgatiten për të përfaqësuar Shqipërinë U-17 në kompeticionet zyrtare të vitit të ardhshëm.

Grumbullimi është planifikuar të nisë ditën e hënë në Durrës, ku ekipi do të qendrojë dy ditë e më pas do të niset drejt Podgoricës, për ndeshjen e parë të datës 7 dhjetor. Veç lojtarëve që aktivizohen në kampionatin shqiptar, trajneri Kërçova ka ftuar edhe futbollistë shqiptarë që luajnë në kampionatet jashtë vendit.

Këto miqësore përbëjnë një mundësi shumë të mirë për trajnerin Agron Kërçova dhe stafin kuqezi për të vëzhguar e testuar nga afër lojtarët e kësaj grupmoshe, të cilët pritet të përbëjnë edhe boshtin e ri të ekipit kombëtar U-17 për sezonin e ardhshëm.

Sport Kombëtarja shqiptare U-16 Mali i Zi U-16