Aktualitet30 Mars 2022, 14:08

Komedia fshatareske e Sali Berishës!

Shkruar nga Pamfleti
Komedia fshatareske e Sali Berishës!

Komedia fshatareske e Sali Berishës!

Saliu, me një zjarr të shtirur dhe me frikë në fytyrë e me buzë të çarë, ka filluar luftën me retorikë denoncuese anti-korrupsion. Por, të gjithë e dinë se, edhe vetë Saliu është i korruptuar. Atëherë? Asgjë: kjo është një komedi fshatareske, por gjithsesi, një komedi është.

Shkruan Spartak Ngjela

l.

Por, komedia vijon, sigurisht. Dhe, si komedi, kjo është një komedi me shumë akte, që ecën bashkë me frikën e Saliut. Pse? Ja…

Shumë shpejt Saliu pritet të jetë në një goditje serioze në opinionin publik, sepse po rezulton që ai, në vitin 1997, si President i Shqipërisë, ka emëruar ndihmës gjyqtarin Agron Zhukri që dha vendimin e regjistrimit në gjykatë të pseudo kongresit të tij fantazmë. Gjyqtari qenka vetëm me tetë klasë dhe me falsifikime kudo. Komedi korruptive berishiane, kuptohet.

Por, a do ta arrestoje SPAK- u gjyqtarin Zhukri? Të shohim, por këtu do të vijë e të bëhet edhe më me vlerë komedia Berisha, sepse ky gjyqtari fals paska qenë i afërt i familjes Berisha. Turp.

Se mos është vetëm ky. Ku i numërohen bëmat primitive Sali Berishës!

Do qeshin të gjithë. Por Saliu nuk shpëton dot nga halli. Dhe komedia do të vijojë…

Sepse, edhe pse vetë është non-grata në Amerikë për korrupsion, me të gjithë familjen e tij, i korruptuari i identifikuar nga FBI, Saliu, po lufton korrupsionin për të vendosur drejtësinë në Shqipëri me gjyqtarët e tij në falsitet, të cilët doli t’i mbronte para disa ditësh, përse këta ishin shkarkuar se nuk e justifikuan dot pasurinë e tyre!!!

E kuptoni që në Shqipëri nuk ka as drejtësi dhe as opinion publik!

E kuptoni ku jemi? Gjendemi ende në mesjetën otomane. Kjo që po shohim me Saliun, ka qenë thelbi i orientalizmit otoman që ende nuk ka ikur nga Shqipëria, por që, ne fakt, Saliu është një përfaqësues i denjë i këtij lloj orientalizmi mesjetar.

E shikoni kush e ka drejtuar Shqipërinë! Se mos janë vetëm këto!…

Që kjo është një komedi, këtë e kupton gjithkush qe di të mendojë, por çfarë do të bëjë politika amerikane, akoma do t’ua lërë nëpër këmbë shqiptarëve këtë bastard që nuk ka lidhje me Shqipërinë dhe punon kundër interesit shqiptar në Ballkanin Perëndimor?!

ll.

Por ka edhe më në këtë komedinë Berisha.

Saliu në vitin 2005 fitoi zgjedhjet me devizën e tij të thekshme e gjithë pasion kundër korrupsionit të kryeministrit të atëhershëm Fatos Nano.

Dhe shqiptarët e votuan.

Por mbasi fitoi pushtetin, e “harroi” Nanon dhe filloi jetën e vet prej të korruptuari si kryeministër. Një komedi, për ta vënë në skenë është edhe kjo, sigurisht. Le që, në fakt, kjo në skenë të hapur po luhet si komedi, por paratë e biletave po i paguajnë shqiptarët.

Kurse, për të gjitha pronat që ka Saliu, edhe paratë e tij të shpërndara nëpër banka ndërkombëtare, që tani kuptohet se janë identifikuar nga pushteti gjyqësor amerikan, shqiptarët po presin që t’i konfiskohen nga SPAK-u. Dhe dihet që SPAK-u po drejtohet nga ekspertiza juridike amerikane.

E pra, shqiptarët po presin që SPAK-u të nisë luftën ligjore kundër korrupsionit shtetëror të të dy krahëve të politikës.

Interesi amerikan dihet që është i madh në Shqipëri, por edhe interesi i Shqipërisë dihet hapur se është te Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Atëherë, çfarë pritet në këtë kohë lufte gati botërore, kur duhet që Shqipëria të jetë e bashkuar në aksin Tiranë -Prishtinë? Pse, korrupsioni shtetëror do ta bëjë këtë? Kurrë…

Por ja, ka edhe më në komedinë Berisha .

lll.

Në 2016 Saliu u rraskapit nga frika e brendshme se politika amerikane nisi, me ligj të veçantë në Shqipëri, reformën në drejtësi.

U tremb Saliu, dhe filloi të gënjejë duke folur marrëzira. Dhe ishte në ankth patologjik sikurse edhe po vijon me frikën e tij.

Por jeta e frikës do t’i vijojë, sepse bomba i plasi në të gjitha pronat e tij e të familjes së tij, të gjitha të marra me korrupsion.

Departamenti i Shtetit amerikan e shpalli Berishën person non-grata në Amerikë për korrupsion masiv.

Frika iu bë edhe më e madhe, por komedia që po dërdëllis Saliu si mbrojtje, është krejt një marrëzi që mund ta thonë vetëm regjimet komuniste, si ai i Enver Hoxhes që thoshte se “presidentët në Amerikë i blen borgjezia”: “Non-grata, thotë Saliu, nuk më ka nxjerrë Amerika, por miliarderi Soros”.

Dhe po vijon xhirimin e tij në vakum me gënjeshtra për të mbajtur në këmbë arradhën e tij të korruptuar që të tregojë forcën në Shqipëri.

Por, në këtë kohë, të gjithë të korruptuarit e mëdhenj, të trembur nga koha, politikanë dhe gazetarë, janë gjithë shpresë që Saliu, me dokumentin fals të gjyqtarit Zhukri, të marrë Partinë Demokratike.

Asgjë. Po lodhet në vakum i shkreti, por komedia e tij vijon.

Dhe filloi sërish komedinë skenike se nuk po di si ta marrë Partinë Demokratike, në një kohë që nuk është anëtar i saj.

Prandaj po del sërish nëpër Shqipëri dhe po flet nëpër foltore. Nuk thotë dot asgjë, por i duket se po e “tremb” Amerikën, sepse kërkon t’i thotë asaj që popullin shqiptar ai e ka me vete. Kurse politika amerikane qesh e tallet me frikën e tij. Pse, nuk ka informacion politika amerikane që ky flet nëpër dhoma të mbyllura me njerëz të paguar dhe me bandat e tij lëvizëse?

Por ama, Saliu nuk po bën dot mitingje, se e di mirë që nuk i mblidhen njerëz, dhe po vijon të flasë nëpër dhoma, dhe përditë përpara 80 ose 100 personave, dhe ditë për ditë me të njëjtin fjalim e me po ata individë: të korruptuar të trembur, të paguar dhe të gënjyer që mendojnë të zhvatin diçka në të ardhmen.

Po, ku e keni fitoren e Saliut, o të mjerë?!!

Komedia vijon, sigurisht…

Por ja cili është thelbi i kësaj komedie…

Vetë Saliu është i akuzuar për korrupsion nga pushteti gjyqësor amerikan, me të gjithë familjen, dhe ai vetë, personalisht, ka nisur “luftën” kundër korrupsionit në Shqipëri. Dhe shqiptarët e mençur po qeshin. Kurse larushanët injorantë të Saliut kërkojnë hapësirë për dhunë.

Komedi…

Pse, këta laraganë injorantë do ta trembin politikën amerikane!

Prapë komedi…

Se komedia Berisha, do të vijojë me akte të tjera. Keni për ta parë, për aq kohë sa SPAK-u do ta lërë të lirë.

Forum #Agron Zhukri PD Sali Berisha SHBA SPAK spartak Ngjela