Aktualitet13 Qershor 2022, 16:55

Komisioneri i BE-së pranon kërkesën e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e mekanizmit të Mbrojtjes Civile: 75 mln euro të dhëna nga BE për arsimin!

Shkruar nga Pamfleti

Komisioneri i BE-së pranon kërkesën e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e mekanizmit të Mbrojtjes Civile: 75 mln euro të dhëna nga BE për arsimin!

Komisioneri i BE-së për menaxhimin e krizave, Janez Lenarčič ka pranuar kërkesën publike të Shqipërisë për t’iu bashkuar mekanizmit të Bashkimit Evropian për Mbrojtjen Civile.

Përmes një konference të përbashkët me kreun e qeverisë Edi Rama, Lenarčič deklaroi se është e rëndësishme që Shqipëria të mbështetet në solidaritetin e shteteve të BE-së në raste fatkeqësish si tërmetet, zjarret apo përmbytjet.

Në mekanizmin e BE-së për Mbrojtjen Civile, krahas 27 vendeve anëtare, bëjnë pjesë edhe Serbia, Turqia, Islanda, Norvegjia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. “Ne jemi të vendosur që të vijojmë punën tonë”- deklaroi Lenarčič, duke shtuar se më vonë pritet t’iu dorëzojë autoriteteve tona një plan me punën që do mund të bëhet nga BE për të realizuar objektivat e këtij mekanizmi.

“Pas tërmetit të tmerrshëm në Durrës si dhe në zonat rreth e rrotull. Sot kam ardhur në rrethana më të mira, nuk kemi të bëjmë me ndonjë emergjencë edhe pse ka pasur një zjarr të madh në Sazan. Një gjë kanë këto dy fatkeqësi, tërmeti i 2019-ës dhe zjarret. Në të dyja rastet, me kërkesë të qeverisë shqiptare, ky mekanizëm u aktivizua menjëherë. Një Aeroplan nga Greqia erdhi për të shuar zjarret. Përgjigja jonë dy vite më parë ishte i menjëhershëm.

Mendoj se ajo që mund të mësojmë nga këto dy fatkeqësi por edhe të tjera, e kam fjalën për ato raste kur Shqipëria është përballur me situate emergjente, gjëja e rëndësishme është se Shqipëria ka pasur mundësinë të mbështetet në solidaritetin e vendeve të BE-së dhe vendeve pjesëmarrëse të këtij mekanizmit.

Mekanizmi i BE-së për mbrojtjen civile përmban jo vetëm 27 shtete anëtare, por edhe të tjera pjesëmarrëse. Kemi Serbinë, Turqinë, Islandën, Norvegjinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Këtu mungonte Shqipëria dhe ne donim që kjo të ndryshonte. Jam shumë i lumtur që kryeministri vendosi sot që të bëjë kërkesën për t’iu bashkuar këtij mekanizmi.

E pranoj këtë kërkesë zyrtare. Unë personalisht e mbështes këtë synim tuajën. Duam që kjo dëshirë të bëhet realitet sa më parë. Shqipëria jo vetëm të ketë mundësinë të mbështetet tek solidariteti i vendeve të tjera, por edhe Shqipëria të shprehë solidaritetin ndaj vendeve të tjera. Ne jemi të vendosur që të vijojmë punën tonë. Do ju dorëzoj nga ana jonë një rrugëtim, një plan me punën që do mund të bëjmë ne për të realizuar objektivat e këtij mekanizmi” – tha Janez Lenarčič, ndërsa vuri në dukje se ndihma për Shqipërinë nga ky mekanizëm do të vijë vetëm përmes vendeve anëtare. “Ne nuk kemi avionë që të shuajmë zjarret. I kanë shtete anëtare. Solidariteti bën të mundur të funksionojë ky mekanizëm. Ne mbulojmë një pjesë të madhe të financimit. Sivjet në verë jemi gati për një verë të ngjeshur. Shpresojmë që edhe shtete të jenë gati duke bërë të disponueshme mjetet që kanë”, u shpreh eurokomisioneri.

I pyetur se sa është shuma e dhënë nga Bashkimi Europian për rindërtimin, Lenarčič tha se unioni ka dhënë një fond prej 75 milion eurosh për rindërtimin e kopshteve dhe shkollave, megjithatë kjo nuk lidhet drejtpërdrejt me mandatin e tij si eurokomisioner për emergjencat dhe mbrojtjen civile.

”Kjo është një fushë e cila nuk është në mënyrë të drejtpërdrejtë pjesë e mandatit tim, megjithatë unë kam dëshirë që të shoh se si kanë ecur punët. Nesër do shkoj për vizitë në ato ambiente që janë financuar nga BE për rindërtim. Do shkoj në një kopsht në Durrës, që është rindërtuar me fondet e BE-së. Gjithsej 75 mln euro është dhënë nga BE për rindërtimin e shkollave dhe kopshteve. 11 bashki kanë përfituar nga këto fonde. 20 mijë nxënës e mësues kanë përfituar nga këto fonde. Shkollat dhe kopshtet janë më të sigurta për ta.

Të gjitha këto gjëra me synimin që ne kemi për të rindërtuar sa më mirë. Informacioni që kam unë është se fondet janë shpenzuar mirë, jo të gjitha pasi nuk kanë përfunduar proceset. Rindërtimi, nëse do të bësh diçka më mirë, duhet të marrësh të gjitha masat. Godinat të jenë rezistente ndaj tërmeteve. Duhen lejet e caktuara. Mendoj që jemi në rrugën e duhur. Shumica e projekteve që kanë mbetur, plani është që të përmbyllet brenda këtij viti. Jo vetëm për këto godina, por edhe për monumentet kulturore. BE ka dhënë 40 mln euro”, tha ai.

Aktualitet Janez Lenarčič Komisioni i BE-së për menaxhimin e krizave Rama