Aktualitet26 Prill 2018, 05:43

Komisioni i Vettingut zbulon aferat e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Fatos Lulo mashtroi 14 herë për pasurinë. Kontrollohen 11

Shkruar nga Pamfleti
Komisioni i Vettingut zbulon aferat e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve,

Gjyqtarët nuk do të tërhiqen nga Vettingu, por kanë një kërkesë për politikën

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbardh skemën që ka ndjekur për të zbuluar aferat e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Deri më tani janë përjashtuar nga drejtësia 3 gjyqtarë dhe prokurorë, ndërsa sinjalet janë se ky numër do të jetë akoma më i lartë gjatë ditëve në vijim.

 

KPK ka zbardhur dje vendimin për përjashtimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, ndërsa është treguar e gjithë metodologjia që ndiqet në verifikimin e pasurisë dhe tregohet se si u gjetën shkeljet e kryera prej tij. Interesant është fakti se KPK vendos që të bëhet fillimisht verifikimi i pasurisë për subjektet e rivlerësimit dhe nëse aty rezulton dikush me probleme, nuk vijohet me kontrollin e pastërtisë së figurës po të aftësive, pasi vetë pasuria i përjashton. Kështu ka ndodhur dhe me Lulon.

 

Në raport thuhet se është ILDKP institucioni i cili ka dorëzuar në KPK të gjithë deklarimet që ka bërë Lulo dhe po kështu është vepruar me të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë. KPK ka bërë një verifikim të thellë për subjektin, ndërsa ajo që bie në sy është se ka pasur kontrolle në 11 institucione.

 

“Komisioni ka administruar prova shkresore nga: Institucionet financiare bankare dhe jobankare; Zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme; Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve; Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë; Instituti i Sigurimeve Shoqërore; Qendra Kombëtare e Biznesit; Ministria e Drejtësisë; Noteri Publik, për dokumentacion në lidhje me subjektin, dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor; Drejtoria e Përgjithshme e Policisë; Prokuroria e Përgjithshme, që vërtetojnë veprime dhe fakte për realizimin e hetimit sipas neneve 49 dhe 50 të ligjit nr. 84/2016”, thuhet vendim. Nga verifikimet që janë bërë ka rezultuar se Lulo ka shkelur ligjin me deklarimin e pasurisë, gjë që i solli atij shkarkimin.

 

Përpara se të zhvillohen seancat dëgjimore, KPK njofton subjektin se është gjetur me shkelje dhe i vihen në dispozicion të gjitha provat. Më pas gjyqtari apo prokurori ka të drejtë të ridepozitojë shkresa që justifikojnë pasurin. Edhe në rastin e Lulos kështu ka ndodhur. Me email ai është njoftuar se nuk justifikon një shtëpi në Kanada dhe prona në Shqipëri. Më pas ai është përgjigjur me email, duke dhënë sqarime.

 

Gjetjet për Lulon

 

Sipas vendimit të komisionit të vetingut, ka qenë ILDKP, institucion i cili ka deklaruar se gjatë verifikimit të deklaratave të pasurisë ka zbuluar rreth 14 shkelje të zotit Lulo me pasurinë. Ka pasur deklarim të rremë lidhur me burimin financiar që deklarohet se është përdorur për

 

blerjen e apartamentit, në Tiranë, blerë në vlerën 9.300.000 lekë, pasi, në deklaratën e interesave private “Para Fillimit të Detyrës, 2004” është deklaruar “Burimi- blerë me kursimet familjare, plus shitja e banesës së privatizuar”, ndërsa në “Deklaratën e Pasurisë, Vetting” është deklaruar “Burimi me të ardhurat nga ushtrimi i aktivitetit si avokat dhe paga e bashkëshortes”.

 

Ka pasur deklarim të rremë dhe mungesë dokumentacioni justifikues ligjor, lidhur me burimin financiar që ka shërbyer për blerjen e një apartamenti po në Tiranë, blerë në vlerën 9.300.000 lekë. Ka pasur deklarim të rremë dhe mungesë dokumentacioni justifikues ligjor lidhur me mundësinë financiare të shtetases D. L për blerjen e asetit njësi, me sip. 172 m2, e cila më pas deklarohet dhuratë subjektit Fatos Lulo. “Deklarim i rremë lidhur me asetin ambient zyre, 74 m2, Tiranë,

 

pasi në deklaratën “Para Fillimit të Detyrës, 2004” është deklaruar vlera 13.800.000 lekë, e pahipotekuar, burimi- blerë nga aktiviteti si avokat. Ndërsa në “Deklaratën e Pasurisë, Vetting” deklarohet në përdorim me të drejtë blerjeje në shumën 13.800.000 lekë. 12.2.5 Deklarim i rremë dhe mungesë dokumentacioni justifikues ligjor lidhur me mundësinë financiare të shtetases D. L për blerjen e asetit ambient zyre, 74 m2, Tiranë, të cilin ia ka lënë në përdorim, me të drejtë blerjeje, subjektit Fatos Lulo”, thuhet në raportin e ILDKP.

 

Verifikimet e KPK

 

Pas raportit të ILDKP, KPK ka bërë një sërë verifikimesh vetë. Për apartamentin e banimit + depo + sipërfaqe e azhurnuar, 112 m2 + 15 m2 + 2.5 m2, fituar me kontratë sipërmarrjeje datë 08.12.2001 dhe kontratë shitjeje datë 24.03.2014, me burim të deklaruar të të ardhurave nga ushtrimi i aktivitetit si avokat dhe paga e bashkëshortes.

 

Vlera 50.000 USD, plus shpenzime mobilimi, barabartë me 9.300.000 lekë, dhe burimi i krijimit të këtij aseti: Të ardhurat në shumën prej 10.500.000 lekësh, deklaruar si të ardhura nga aktiviteti privat me profesion “Avokat” me fillim nga viti 1995 – 1999, e më pas në vitet 2002 – 2005, komisioni, për vërtetimin e faktit dhe burimit të të ardhurave, administroi nga institucionet: ZVRPP Tiranë, me shkresën nr. 42095/1, datë 05.12.2017 dhe shkresën me nr. 42646, datë 06.12.2017, si edhe 23 shkresa nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ku konfirmohet se në emër të subjektit ekziston prona e sipërpërmendur, e regjistruar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë në vitin 2014.

 

Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë, me shkresën nr. 66148/1 prot., datë 19.12.2017, konfirmon se Z. Fatos Lulo, nga aktiviteti privat “Avokat” shprehet se nuk ka të ardhura të deklaruara për efekt pagimi tatimesh deri në vitin 2001, vit kur deklarohet se është blerë shtëpia. Pra, këto të ardhura rezultojnë të jenë “0” (zero) lek.

 

Sipas kësaj shkrese, rezulton se gjatë ushtrimit të aktivitetit të tij si avokat, Z. Lulo ka xhiro të realizuar, për periudhën janar – dhjetor 2004, në shumën 1.170.100 lekë dhe qarkullim të deklaruar për janar-dhjetor 2005 në shumën 3.000.000 lekë. Akademia e Shkencave, me shkresën nr. 63/1 prot., datë 27.01.2017, dhe vërtetimi nga Qendra e Studimeve Gjeografike, nr. ekstra prot., datë 11.11.2008, ku rezulton se për periudhën deri në vitin 2001 të ardhurat janë në shumën prej 2.000.000 lekësh (duke marrë si pagë referuese pagën e deklaruar të vitit 2005, pasi Akademia e Shkencave ka dërguar shumën totale nga viti 1994 – 2008 prej 5.997.600 lekësh). E njëjta rrugë është ndjekur për të gjitha pasuritë dhe në fund ka rezultuar se Lulo nuk justifikon shumë pasuri./SOT

Uncategorized gjyqtarët dhe prokurorët komisioni i Vettingut