Aktualitet28 Prill 2022, 19:48

Shkruar nga Pamfleti

Kompania e turkut Fethi Kaya në dosjen 94 fermerëve të duhanit që u faturuan për krom, i akuzuari kryesor Xhevdet Hyseni; çfarë i bënë pas krahëve biznesmenit Gazmir Sardi

Detaje të reja rreth skandalit të faturimit të 94 fermerëve të duhanit në Korçë sikur kanë shitur krom, në skenë del një kompani turke që shfrytëzon minierat, rriti kapitalin në mënyrë të dyshimtë nga 100 mijë lekë në 4.5 milionë USD. Prokuroria e Durrësit tentoi të mbyllte dosjen. Gjykata kërkon hetime të theluara

Shkruan Adriatik Doci 

Zbulohen detaje të reja rreth skandalit të faturimit të 94 fermerëve të duhanit në Korçë, sikur kanë shitur krom, si dhe hapjes së një rrjeti kompanive fantazmë në emrin e biznesmenit Gazmir Sardi, pa dijeninë e këtij të fundit, me qëllim pastrim parash, abuzim me rimbursimin e TVSH dhe aktivitete të tjera të paligjshme. Në dosjen që qëndron në Prokurorinë e Durrësit, rezulton edhe emri i kompanisë “Tur-Alb-Krom”, një subjekt që ushtron aktivitet minerar në Zonën D në Bulqizë dhe që ka qenë objekt masash ndëshkuese nga Ministria e Energjisë për shkak të mangësive dhe shkeljeve gjatë aktivitetit minerar.

Kompania “Tur-Alb-Krom”, me objekt shfrytëzimin e vendburimeve të mineraleve, është themeluar në qershor të vitit 2008, nga shtetasi turk Fethi Kaya. Kapitali fillestar ishte 100 mijë lekë, por befas, kapitali, në 2013, u rrit në rreth 1.6 milionë USD, ndonëse gjatë kësaj periudhe, referuar historikut të kompanisë, nuk kemi bilance dhe shtim asetesh, por vetëm shtim vendndodhjesh. Në një rast, si vendndodhje e kompanisë në Bulqizë, shënohet një rimorkio me targë DR 7159 D. Aktualisht kapitali i kompanisë është 4.5 milionë USD.

Po si figuron kompania e turkut Fethi Kaya në dosjen që biznesmeni i dëmtuar Gazmir Sardi ka referuar në prokurori?

Biznesmeni i mbledhjes dhe përpunimit të duhanit Gazmir Sardi, në kallëzimin që ka referuar në vitin 2015 në Prokurorinë e Durrësit, pretendon se i kishte besuar aktivitetin e kompanisë “SARDI” shpk, me nipt: J91321501L, ekonomistit Xhevdet Hysenit (personi në foto). Sipas tij,

Xhevdet Hyseni mbante vulën e kompanisë, përpilonte bilancet vjetore dhe kryente veprime në tatime në mirëbesim. Gazmir Sardi pretendon në prokurori se Xhevdet Hyseni ka kryer prapa krahëve dhe duke keqpërdorur besimin tij, një aktiviteti të gjatë abuziv, me kosto miliona euro, si hapje degësh fiktive, vlerësime dhe zhvlerësime abuzive, evazion fiskal, pastrim parash, faturime fiktive etj. Këto veprime, sipas kallëzimit, janë kryer gjatë 2005-2010.

Pjesë e këtij aktiviteti janë edhe faturat për 94 fermerët e Korçës sikur kanë shitur krom në vend të duhanit. Gazmir Sardi dyshon për një bashkëpunim mes pronarit të kompanisë së kromit Fethi Kaya dhe Xhevdet Hysenit, duke u faturuar kromin fermerëve të duhanit, në mënyrë të paligjshme dhe për qëllime fitime me rimbursimin e TVSH.

Sipas dosjes, Gazmir Sardi thotë se i ‘besuari i tij’ si ekonomist Xhevdet Hyseni, fillimisht, ka hapur në Kavajë një dyqan të tregtimit të cigareve dhe më pas një dyqan fantazme, duke e kthyer në magazine doganore. Gazmir Sardi pretendon se nga kjo magazinë, Xhevdet Hyseni ka bërë hyrje të sasive të ndryshme kromi, veprime, sipas tij, të kryera në shkelje të detyrës që kryente.

Nga ana tjetër, Xhevdet Hyseni ka ushtruar edhe detyrën e zv /drejtorit dhe Drejtorit ekonomik të Portit Detar Durrës. Nga ana tjetër, biznesmeni i kromit Fethi Kaya ka deklaruar si adresë edhe një shesh për grumbullimin e kromit në portin e Durrësit.

Prokuroria e Durrësit ka tentuar të mbyllë dosjen, pavarësisht faktit që fermerëve u është faturuar krom dhe në emrin e Gazmir Sardit është kryer një sagë veprimesh abuzive dhe me pasoja të rënda. Por, kërkesa e prokurorisë për mbylljen e dosjes, është rrëzuar nga Gjykata e Durrësit me vendim në 68/659, në 16 qershor 2020.

Përpos të tjerave, në detyrat që gjykata i lë për zbatim prokurorisë, është edhe “Në hetim duhet të pyeten dhe shtetasit Agim Demrozi, ish ortak me personin që ka bërë kallëzimin penal Gazmir Sardi si dhe shtetasi Xhevdet Balla administrator i subjektit “Orxhepa”, e administratori i subjektit “Tur-Alb-Krom” sh.p.k, me qëllim sqarimin e të gjithë pretendimeve të ankuesit Gazmir Sardi. Në varësi të veprimeve hetimore të mësipërme, Prokuroria mund të zgjerojë hetimet me veprime të tjera hetimore për të vendosur për mënyrën e përfundimit të çështjes penale të mësipërme”.

Gjykata ka kërkuar nga prokuroria që këto veprime hetimore t’i realizojë brenda gjashtë muajsh.

Historia

Në 9 nëntor të vitit 2015, në Prokurorinë e Durrësit regjistrohet një kallëzim penal i biznesmenit të mbledhjes dhe përpunimit të duhanit Gazmir Sardi kundër Xhevdet Hysenit, i cili më parë kishte ekonomist në kompaninë e Sardit “SARDI” shpk, me nipt: J91321501L. Gazmir Sardi pretendon në prokurori se Xhevdet Hyseni mbante vulën e kompanisë, përpilonte bilancet vjetore dhe kryente veprime në tatime në mirëbesim. Sardi pretendon se Xhevdet Hyseni ka kryer prapa krahëve dhe duke keqpërdorur besimin tij, një aktiviteti të gjatë abuziv, me kosto miliona euro, si hapje degësh fiktive, vlerësime dhe zhvlerësime abuzive, evazion fiskal, pastrim parash, faturime fiktive etj.

Gazmir Sardi është alarmuar dhe ka kuptuar gjithçka vetëm kur në derën e tij kanë trokitur tatimet me një faturë gjobe falimentuese.

Sipas dosjes, Gazmir Sardi ka nisur aktivitetin e biznesit të grumbullimit dhe tregimit të dunat në vitin 1993 në Korçë. Në vitin 1997, këtë aktivitet e ka zhvendosur në Durrës, ku është njohur me Xhevdet Hysenin, i cili në atë kohë mbante detyrën e shefit të financës në ish Fabrikën e Cigareve Durrës. Me kalimin e kohës, Gazmir Sardi thotë se i ka besuar Hysenin veprimet procedurale në emrin e kompanisë në raport me tatimet, bilancet, faturat etj.

Gazmir Sardi pretendon në prokurori se gjatë periudhës 2005-2010, Xhevdet Hyseni ka kryer aktivitet të paligjshëm në emrin e kompanisë, duke dëmtuar rëndë interesat e tij dhe të shtetit. Gjatë kësaj kohe, Xhevdet Hyseni ushtronte edhe detyrën e zv /drejtorit dhe Drejtorit ekonomik të Portit Detar Durrës.

Aktualitet Fethi Kaya Xhevdet Hyseni