Anti-Mafia17 Dhjetor 2022, 16:30

Koncesionet gangrena e buxhetit të shtetit, 223 kontrata aktive gllabërojnë çdo vit miliarda Lekë

Shkruar nga Pamfleti
Koncesionet gangrena e buxhetit të shtetit, 223 kontrata aktive

Në total, numri i kontratave të koncesioneve/PPP të miratuara në vend deri në vitin 2021 shënon 223. Ndërkohë vetëm qeveria e Edi Ramës ka firmosur plot 52 kontrata koncesionare….

Koncesionet vijojnë të jenë gangrena e buxhetit të shtetit. Ndonëse ndërkombëtarët kanë shfaqur shumë rezerva dhe kërkojnë që qeveria të mos turret te PPP-të, në fakt ka ndodhur e kundërta. Çdo rrugë, shërbim shëndetësor dhe investim tjetër po jepet me PPP.

Pak ditë më parë ishte FMN që ngriti alarmin për koncesionet, duke thënë se qeveria nuk i kontrollon dot sepse ka një numër të madh kontratash.

Ndërkohë Ministria e Financave ka publikuar të dhënat e kontratave koncesionare në vend dhe sipas raportit që ka siguruar Pamfleti, për vitin 2021 kanë shkuar për kontrata koncesionare 11.4 miliardë lekë.

Në total, numri i kontratave të koncesioneve/PPP të miratuara në vend deri në vitin 2021 shënon 223. Ndërkohë vetëm qeveria e Edi Ramës ka firmosur plot 52 kontrata koncesionare. Skandali është se 13 % e kontratave të miratuara në total janë propozime të kërkuara nga autoritetet kontraktues, në kuadër të një procedure përzgjedhëse konkurruese.

Numri më i madh i tyre ka si Autoritet Kontraktues Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, me 206 kontrata koncesionare/PPP. Pas saj vjen Ministria e Shëndetësisë me 4 koncesione, që janë dhe më problematikët. Nëse marrim si shembull koncesionin e sterilizimit, gjatë vitit 2021 nga të dhënat e raportuara nga Autoriteti Kontraktues evidentohet se shërbimi i sterilizimit është planifikuar për t’u ofruar për 63,600 ndërhyrje kirurgjikale. Por për vitin 2021 është realizuar një shërbim prej 55,452 ndërhyrje kirurgjikale të komplesiteteve të ndryshme.

Pra duket se ka aq shumë kontrata sa dhe vetë qeveria nuk i menaxhon dot. Rasti më specifik është ai inceneratorëve, ku janë vjedhur miliona e miliona lekë. /Pamfleti

Anti-Mafia Balluku koncesione Rama