Anti-Mafia30 Nëntor 2022, 13:50

Koncesioni i laboratorëve gërryen buxhetin e shtetit, merr fonde më tepër se projeksionet

Shkruar nga Pamfleti

Ndryshe nga kontrata fillestare ku përcaktohet se fondet do jenë 1.3 miliardë lekë, në të vërtetë pagesat bëhen mbi bazë të numrit të analizave…

Koncesionet në shëndetësi vijojnë të gërryejnë buxhetin e shtetit. Ndonëse ka rezultuar një skemë tipike korruptive, shteti vijon të paguajë miliona çdo vit për privatin. Përveç Check Up dhe hemodializës, duket se aferë po rezulton dhe koncesioni më i fundit, ai i laboratorëve.

Qeveria ja ka dhënë privatit laboratorët, ndonëse kishte të gjithë infrastrukturën e nevojshme dhe duket se tani po kuptohet arsyeja.

Ekzekutivi ka rritur ndjeshëm fondet për këtë laborator, duke kapur shifra alarmante. Ministria e Financave ka publikuar së fundmi raportin zyrtar të monitorimit të koncesioneve, duke dhënë dhe shifrat përkatëse. Por skandali është se fondi standard që duhet të shkojë për kompaninë është 1.3 miliardë lekë, ndërkohë që sipas MFE pagesat po bëhen mbi bazë analizash.

Gjatë vitit 2021 nga të dhënat e raportuara nga Autoriteti Kontraktues: Shërbimi i laboratorëve është ofruar për 14 Spitale Referuese. E shprehur në terma financiare të dhënat tregojnë se për mbulimin e këtij shërbimi Qeveria Shqiptare kishte planifikuar një shumë prej 1,137,845 lekësh me TVSH, nga të cilat janë paguar në total 1,103,199 lekë me TVSH. Përfitimet e marra nga ky shërbim janë të shumta pasi kur shërbimi ofrohej nga spitalet gama e analizave në spitalet universitare ishte deri në 100, ndërsa sot janë 164 ekzaminime. Sa i takon spitaleve rajonale, kjo gamë ishte akoma më e ulët, një paketë bazë me rreth 50-70 ekzaminime, ndërsa sot janë 164 ekzaminime”, theksoi Ministria e Financave.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Sipas raportit, kjo kontratë ka nisur funksionimin e saj më datë 2 Nëntor 2020 në Qendrën Universitare Spitalore “Nënë Tereza”. Referuar raportimeve dhe konfirmimit të Autoritetit Kontraktues, aktualisht ka filluar shërbimi në të gjitha spitalet universitare në vend, në spitalet rajonale të Durrësit, Elbasanit, Shkodrës, Fierit, Beratit, Korçës, Lezhës dhe spitalin bashkiak Lushnjë.

Në mes të këtij viti kur qeveria bëri disa ndryshime buxhetore i çoi fondet për pagesën e koncesionit të laboratorit në 1.6 miliardë lekë nga 1,3 miliardë lekë që ishin parashikuar në fillim të vitit. Por duket se ndryshe nga kontrata fillestare ku përcaktohet se fondet do jenë 1.3 miliardë lekë, në të vërtetë pagesat bëhen mbi bazë të numrit të analizave.

Shërbimi i laboratorëve mjekësorë është kontrata e katërt e partneritetit publik-privat në sektorin e shëndetësisë. Kontrata u fitua nga konsorciumi “Labopharma” me seli në Tiranë, “Exalab” me seli në Francë dhe kompania guackë “AB Laboratory Solution” B.V e regjistruar në Hagë të Holandës dhe po zbatohet prej vitit 2020 nga kompania koncesionare “Laboratory Networks”.

Procedurat e Ministrisë së Shëndetësisë për dhënien e këtij shërbimi me koncesion janë vënë në pikëpyetje nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe po hetohen për korrupsion nga Prokuroria e Posaçme/ Pamfleti

Anti-Mafia laboratore Rama shëndetësi