
Koncesioni mjekësor “Pipero-Tavo-Beqja”, 30 milionë euro për 10 vjet “dhuruar” një firme private aksidentesh rrugore
Tjetër “dosje e zezë” nga zhvatja e taksave publike
Zbulohet një koncesion tjetër mjekësor, i “injektuar” nga ish-ministri i Shëndetësisë të LSI në qeverinë “Berisha-2” Vangjel Tavo, me projekt dhe kërkesë “emergjente” zyrtare, të Drejtorit të LSI-st të Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë Dr. Pëllumb Pipero, firmosur e vulosur vetëm 1 muaj para se LSI, të ikte nga “prehëri” qeverisës me PD dhe i futur në zbatim nga ish-ministri Ilir Beqja.
Koncesioni është me vlerë 30 milionë euro për 10 vjet për një firmë private që merret me aksidentet rrugore dhe ka si objekt, “menazhimin” nga privati, të të ardhurave finanaciare mjekësore të urgjencave aksidente rrugore, që paguhen nga shoqëritë e sigurimeve, për pacientët që trajtohen në Spitalin e Traumës (Spitali Ushtarak-Tiranë). Në QSUT dhe në Spitalin Rajonal të Durrësit.
Ish-ministri Vangjel Tavo, me këmbëngulje të vartësit Pëllumb Pipero dhe ndërhyrje nga pronarët e LSI Meta-Kryemadhi, firmosi e vulosi Urdhërin Nr. 68, nr. Prot. 746, datë 08.02.2013, për nisjen e kocnesionit mjekësor të trajtimit të aksidenteve në urgjencat mjekësore të tre qendrave spitalore, me vlerë 30 milionë euro për 10 vjet, dërguar për zbatim urgjent.
LSI-sti Pipero, në mbështetje të urdhërit të ministrit Tavo, në datën 11.03.2013 nxorri “Urdhër Zbatimi Nr. 745/1 Prot”., me emrin dhe firmën e tij si Drejtor i Politikave Shëndetësore në Ministri, adresuar Elvana Hanës-drejtore e ISKSH, me citimin: “Zbatim i urdhërit të ministrit, për nisjen e kontratës me shoqërinë private “Profesional Atlantik Security Grup-1”(PASG-1).
Pasi u “kopsitën” modalitetet e pazarit të kontratës koncesioanre, dosja iu dërgua urgjent për firmosje e zbatim Gjovalin Bushit, Drejtor i Spitalit të Traumës (Ushtarak)-Tiranë, drejtorisë së QSUT dhe Drejtorisë së Spitalit Rajonal-Durrës, por duke qenë se koncesioni nuk kishte asnjë bazë ligjore, drejtuesit e 3 spitaleve refuzuan dhe zbatimi u bllokua 364 ditë (6 mars 2013-7 mars 2014), ditë kur u frimos për zbatim nga ministri Ilir Beqja.
Pas firmës së ministrit Beqja, drejtorët e spitaleve firmosën këtë koncesion mjekësor për menazhimin e të ardhurave të sigurimeve nga trajtimi i aksidenteve në urgjencat mjekësore, me afat 10 vjeçar, dhënë frimës private “Profesional Atlantik Security Grup-1” (PASG-1) ndërkohë që Ligji Nr. 9663, datë 18.12.2006 (i ndryshuar) e lejon me afat 1 vit!
Sipas kësaj kontrate, firma private ka fituar të drejtën kontratuale të ketë në përdorim gjitha kartelat mjekësore të pacientëve të aksidentuar, duke ua shitur qytetarëve qytetarëve (kartelën e tyre) me 1000 lekë të reja për çdo rast që ata e kërkojnë për procese gjyqësore, ballafaqime, dëmshpërblime financiare, si dhe përfiton 30% të koncesionit, ndërkohë që 3 spitalet e përfshira në koncesionin 10-vjeçar, harxhojnë jashtë kësaj kontrate edhe 40 milionë euro në vit nga buxheti shtetit, për trajtim rutinë aksidentesh rrugore!/Pamfleti