Politike13 Qershor 2022, 20:55

Konferenca antikorrupsion shqetëson LSI, Kryemadhi: Nëse Kajmaku nuk do ishte në burg, do drejtonte panelin aty

Shkruar nga Pamfleti
Konferenca antikorrupsion shqetëson LSI, Kryemadhi: Nëse Kajmaku nuk

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka reaguar në rrjetin social facebook lidhur me konferencën e parë kombëtare të anti-korrupsionit.

Kryemadhi e nisi reagimin e saj me tone ironizuese, duke thënë se edhe ish- Kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, do mbante fjalim në konferencën anti-korrupsion nëse nuk do të ishte arrestuar.

“Edhe Kajmaku i Vorës do drejtonte një panel te kjo konferenca e qeverisë për korrupsionin, nëse nuk do e kishin arrestuar italianët. Patjetër, sepse të gjithë çfarë janë në burg sot nga Rilindja, më parë kanë qenë “kampionët” e kryeministrit”, shkruan Kryemadhi.

Kryetarja e LSI u shpreh se reforma në drejtësi u miratua nga të gjitha palët për të krijuar një sistem gjyqësor të pavarur dhe të pandikuar pushtete e tjera, sidomos ai legjislativ që sipas Kryemadhit është edhe me i korruptuari.

“Reformën në drejtësi e miratuam bashkarisht si klasë politike në vitin 2016, që lufta ndaj korrupsionit të ishte përherë ekskluzivisht fusha e veprimit, e një sistemi të pavarur nga politika, të pa ndikuar nga pushteti legjislativ dhe ai ekzekutiv. Ky i fundit, dmth qeveria, është edhe më i korruptuari”, u shpreh ajo.

Kryemadhi gjithashtu shtoi se punonjësit civilë ishin detyruar të merrnin pjesë dhe të dëgjonin propagandën e kryeministrit, në një kohë ku gjithë vendi po pret veprimin e drejtësisë kundër korrupsionit që ka kapluar kastat më të larta të qeverisë.

Ndërkohë që punonjësit civilë të çuar me detyrim në takim dëgjuan fjalimin propagandistik të kryeministrit, i gjithë vendi pret me padurim forcën e veprimit të drejtësisë ndaj zyrtarëve të inceneratorëve: një skemë korrupsioni në bashkëpunim, e faktuar në letra dhe firma, që ka përfshirë kryeministrin, zyrën e tij, ministra, kryetar bashkie, biznese të vërtetë dhe fiktivë. Korrupsion qeveritar ka, por duhen profesionistë të pavarur në drejtësi ta luftojnë atë”, e mbylli reagimin e saj Kryemadhi.

Politike konferenca Kryemadhi Rama