Ashtu siç edhe pritej, konferenca e Kryetarëve ka pranuar dhe ka futur në rend dite në Kuvend, kërkesën për ngritjen e Komisionit parlamentar për raportin e Dick Martyt. Ky komision u kërkua nga Partia Socialiste, ndërsa kreu i grupit parlamentar të selisë rozë, Taulant Balla depozitoi në Kuvend kërkesën.
Kërkesa për ngritjen e Komisionit u firmos nga ana e 18 deputetëve të parlamentit shqiptar. Ky komision do ngrihet për hetimet e Dick Marty-t ndaj krimeve të supozuara të ish-luftëtarëve të UÇK-së. Konferenca e Kryetarëve shqyrtoi dhe miratoi programin e punës për periudhën 30 nëntor-25 dhjetor 2020 dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 30 nëntor – 18 dhjetor 2020.
“Konferenca vendosi t’i përcjellë seancës plenare kërkesën e një grupi deputetësh për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm të Kuvendit për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti mbi gjetjet dhe konkluzionet e verifikimeve të kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri mbi çështjet e raportit të anëtarit të APKiE Dick Marty mbi rolin e përfaqësuesve politikë dhe institucioneve publike shqiptare në ndihmë të të ashtuquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të UÇK-së në territorin e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftim.