Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim ditën e djeshme me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, kongresistin Gregory Meeks.
Takimi, i cili vjen në kuadër të vizitës zyrtare disa-ditore të Kurtit në SHBA, ritheksoi rëndësinë e raporteve dhe marrëdhënies ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kongresisti Meeks tha se Serbia duhet t’i pranojë krimet në Kosovë dhe ta njohë Republikën e Kosovës. Ai tha se marrëdhëniet me Kosovën janë shumë të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri Kurti e falënderoi kongresistin Meeks për qëndrimet dhe mbështetjen ndaj Republikës së Kosovës dhe e ftoi që ta vizitojë Kosovën”, thuhet në komunikatën e zyrës së Kryeministrit të Kosovës.