Kosova 8 Nëntor 2022, 21:50

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se esenca e planit franko-gjerman është që Serbia të heqë dorë nga pretendimet ndaj Kosovës.

“Tash kur po e sheh që Serbia po afrohet një zgjidhje me Kosovën, me ç’rast bashkësia ndërkombëtare, më të fuqishme evropiane si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë pozicionimin e qartë. Do t’ia propozojnë Serbisë një plan, i cili në thelb nëse do ta përkthesh se çka i bie ai plan, është të heq dorë ndaj pretendimet e saj ndaj Kosovës”, ka thënë Konjufca në Rubikon.

E për situatën në Veriun e Kosovës, Konjufca ka deklaruar se nuk lidhet me vendimin e Qeverisë për targat.

“Tash, në bazë të këtij komperacioni, nuk mundemi kollaj ta pranojmë argumentin që e tëra nisi për targa sepse e kemi pjesën tjetër të Kosovës ku ata jetojnë me këto targa”, është shprehur Konjufca.

Kryetari i Kuvendit po ashtu ka thënë se pas dorëheqjeve të komunitetit serb prej institucioneve qëndron Beogradi.

“Serbia i ka qëllimet e kundërta me Kosovën, do të tregojë se e kontrollon atë territor dhe tash ka nisur beteja rreth kësaj çështje dhe veprimet janë të organizuara brenda një skeme të madhe e cila fillon prej manifestimit dhe grumbullimit përmes protestës, dorëheqjeve të orkestruara në çdo nivel, prej deputetëve, kryetarëve të komunave e deri te RTK-ja”, ka deklaruar ai.

 

Prishtine

Kosova